Hyrje-daljet nuk po ndalojnë në pikën kufitare në Merdar.
E festat e fundvitit janë arsyet pse kohëve të fundit makinat me targa të shteteve të huaja po qarkullojnë shumë.
Kishte edhe nga ata që e kishin përfunduar pushimin dhe tashmë po ktheheshin në vendin ku jetojnë.
Rrahman Dibra javën e fundit e kaloi në Drenicë e tashmë po kthehet në Zvicër, e ai thotë se për një javë që ka qëndruar ka shpenzuar 3000-4000 euro.
Ndonëse ka shpenzuar, ai ka edhe një kërkesë drejtuar Qeverisë për parregullsitë që ai sheh në Kosovë.
“Rrymë s’ka, agregatin me vete e kem. O Albin, mos na dështo edhe kësi hovi se s’ia dhamë më votën”, ka thënë ai.
Si Dibra ka edhe të tjerë vizitorë që për pak ditë kanë shpenzuar me mijëra euro.
Prank Pjetri ka bërë rrugën nga mërgimi në Gjakovë për tri ditë. E pavarësisht lodhjes, ai është optimist duke treguar se Kosovën e sheh si të zhvilluar krahasuar me kohët më përpara.
“Unë shoh vetëm mirë e më mirë. Kemi shumë probleme, por shpresoj të bëhet më mirë. Fillimi është të hiqet korrupsioni”
Ndryshe nga Pjetri, Lirim Krasniqi nuk është edhe aq i kënaqur me gjendjen në Kosovë. Ai madje thotë se investimi këtu është i kotë.
“Mirë edhe jo mirë, se s’ka rrymë. Gjendja në Kosovë katastrofale sepse pa rrymë, pa ujë, çka të bëjë njeriu këtu”, ka thënë ai.
Festat akoma nuk kanë mbaruar e mërgimtarët vazhdojnë të vijnë.
Dibran Hoxha ka ardhur nga Italia në Suharekë, e thotë se vitin e ri do ta presë në Kosovë, duke shpresuar se 2022-ta do të sjellë mbarësi për Kosovën e do të zhduket edhe papunësia.
“Verës kam shpenzuar afër 5000 euro, e tash s’di çka të them, ndoshta aty afër. Për 2022 shpresoj të hiqet papunësia”, ka thënë ai.
Javët në vazhdim do t’i kalojnë në Kosovë edhe Arsim Rexhepi e Fidaim Imeri, të cilët morën rrugë të gjatë për të festuar festat në gjirin familjar. Pavarësisht të gjithave, ata vijnë që paratë e tyre t’i investojnë në vendlindje.
Diaspora cilësohet si “infuzion i shtetit” e këtë e konfirmon edhe Safet Gërxhaliu, ekspert i ekonomisë.
Ai thotë se mërgimtarët kanë kontribut shumë më të madh se vetë buxheti i miratuar nga shteti.
Ndonëse ata bëjnë shumë për Kosovën, Kosova nuk bën shumë për ta.
Mungesa e gjërave elementare si rryma e uji janë mungesë respekti për mërgimtarët e sidomos gjatë festave të fund vitit.
Prania e diasporës në Kosovë vihet re sidomos gjatë mbrëmjeve apo në hapësira publike, ku dëshira për të festuar së bashku është e madhe andaj vërehet gjallëria që marrin qytetet nga fluksi i madh i njerëzve.