SOT

“Mësuesja Fatime” - Historia e rrugës që nderon mësuesen e fshatit

Këtu u lind e u shkollua e për shumë vjet mësoi edhe gjeneratat e reja.

Kontributi i saj nderohet me rrugën që mban emrin mësuesja Fatime.

Fatime Qerimi Krasniqi ishte mësuesja e parë e zonës së Karadakut nga e cila dolën shumë gjenerata të suksesshme e që me mall e kujtojnë atë.

Ideja për emërimin e kësaj rruge në nderim të mësueses ishte e bashkëmoshatarit të saj Bajram Qerimi.

Ai tregon për sakrificat e përbashkëta që kishin përjetuar vetëm të shkolloheshin.

E djali i mësueses Fatime, Arben Krasniqi thotë se nëna e tij ishte shembull i një gruaje të fortë e cila tërë jetën ia përkushtoi arsimit e atdhedashurisë.

Ai mban mend kohën e pensionimit të saj, e cila në atë kohë kishte qenë shumë e mërzitur që kishte ardhur koha të ndahej nga nxënësit.

Në mesin e shumë nxënësve të mësueses Fatime, ishin edhe dy motrat, Qefsere dhe Jalldeze Sadriu.

E madje përloten kur kujtojnë ditën që i shkuan në shtëpi, por mësuesja nuk arriti t’i takonte.

Janë të pakta rrugët në Kosovë që mbajnë emra grash. Kjo rrugë në fshatin Llovcë të Gjilanit nga njohësit është parë si shembull se si duhen falënderuar e nderuar gratë për kontributin e tyre në arsim.

“Mësuesja Fatime” si rrugë qëndron pranë shkollës në të cilën ajo dha mësim.