SOT

Mërgimtarët mbledhin para për objekt për persona me aftësi të kufizuara

1008 persona sa janë në regjistrin e qendrës “Handikos”, në Komunën e Ferizajt do të kenë mundësinë që shërbimet e tyre të nevojshme t’i marrin për një periudhë të shkurtër në objektin e ri që po planifikohet të ndërtohet këtë vit.

Atë që Komuna e kishte për detyrë, po e realizojnë mërgimtarët.

Mërgimtarët deri më tani i kanë mbledhur 48 mijë euro.

Punimet e objektit mendohen që të fillojnë nga tetori i këtij viti dhe shuma totale që duhet mbledhur është 400 mijë euro.

“Fillimisht jem takuar me Enver Kosumin, drejtor i “Handikosit”, për një drekë dhe aty dhe ai e ka shpreh shqetësimin e tij që në Komunën e Ferizajt personat me aftësi të kufizuara nuk kanë objekt ku ata mund të takohen dhe t’i përcjellin aktivitetet e tyre. Pastaj ne si mërgimtarët e kemi marrë një iniciativë duke e formuar një këshill të përbashkët. Ky këshill përbëhet nga 17 persona dhe arsyeja e kësaj është të mbledhim të holla për ndërtimin e objektit të “Handikos” në Komunën e Ferizajt”, ka thënë Bujar Neziri, mërgimtar.

“Me fillimin e iniciativës e cila ende nuk është bërë publike, janë mbledhur 48 mijë euro. Shumë që planifikohet të mblidhet është rreth 400 mijë euro, besoj që për një kohë të shkurtër mërgimtarët të cilët janë të shpërndarë në vendet e Evropës si Zvicër, Belgjikë, Gjermani, Angli, Amerikë, do na ndihmojnë me të holla dhe këtë aksion do ta përfundojmë sa më shpejt”, ka thënë Neziri.

Neziri thotë se deri në përfundimin e objektit, mërgata nuk do të ndalet duke dhënë kontributin e tyre. Bën apel edhe tek institucionet vendore për mbështetje.

“Unë ju bëj apel edhe komunës së Ferizajt dhe komunave të tjera si dhe qeverisë së Kosovës, që t’i ndihmojnë këta persona me aftësi të kufizuara sepse janë pjesë e shoqërisë sonë dhe janë pjesa që më së shumti kanë nevojë për t’ ndihmuar”, ka deklaruar Neziri.

Enver Kosumi, drejtor i qendrës “Handikos”, në Ferizaj thotë se deri më tani, qendra për shërbimet e personave me aftësi të kufizuara ka punuar me kushte minimale.

“Handikos, ka pasur një objekt në rrugën ‘Ramadan Rexhepi’ afër spitalit, objekti ka qenë i kuvendi komunal që i ka dhënë në shfrytëzim mirëpo objektet e asaj hapësirë janë rrënuar dhe komuna e Ferizajt ka nda një parcelë prej 10 ari tokë për ne. Nga viti 2020 jem vendos ketë objekt ku komuna e paguan qeran e saj”, ka thënë Kosumi.

Në “Handikos” janë mirënjohës ndaj mërgimtarit nga Gjermania, Bujar Neziri. Sipas tyre, ishte ai që nisi ndihmën që po vazhdon.

“Në momentin që kemi dalë me qira, jem zotuar bashkë me institucionet lokale për lobimin se si të gjejmë një mënyrë për ndërtimin e objektit. Gjatë pandemisë iniciativat pushuan së ekzistuari por fatmirësisht me një takim spontan që patëm me njërin nga bashkatdhetarët tanë, mikun tonë, Bujar Nezirin dhe duke ia treguar brengat dhe sfidat që përballen personat me aftësi të kufizuara, ai mori iniciativën për ndërtimin e këtij objekti. Kem pasur disa takime me institucione, komuna e Ferizajt janë zotuar për të na ndihmuar me infrastrukturë, leje të ndërtimit etj”, ka thënë Kosumi.

Iniciativa e mërgimtarëve Kosumit i dha shpresë për të ndihmuar personat e shumtë që marrin shërbime brenda ditës në këtë qendër.

“Vërehet një entuziazmi i madh i stafit dhe prindërve të cilët kanë marrë informatën për ndërtimin e objektit. Këtu është një qendër modeste duke mos i plotësuar kushtet as minimale për ofrimin e shërbimeve sepse ne i kem rreth 50 fëmijë në ditë që marrin shërbime nga ne”, ka shtuar ai.

“Me projektin ideor që e kem prezantuar në komunë në vitin 2019, atëherë kur është marrë vendimi i parcelës, projekti ka kushtuar nga 270 mijë deri 300 mijë euro, mirëpo duke e parë ngritjen e çmimeve nga ekspert të fushës që mundet me kushtuar nga 350 mijë euro deri 400 mijë euro”, ka deklaruar ai.

Përparim Reka, një tjetër mërgimtar i cili qe 24 vjet jeton dhe vepron në Belgjikë, i është bashkuar iniciativës për ndërtimin e objektit.

“Çdo vit që vijmë në Kosovë, si mërgata mblidhemi dhe diskutojmë se ku dhe kujt mund t’i ndihmojmë. Hera e fundit ne si mërgatë e kemi ndërtuar një shtëpi në fshatin Nerodime të Ferizajt, ku ishte një familje skamnorë që me të vërtet kishte nevojë për një shtëpi të re. Klubi i futbollit “FC Kosova” në gjermani me kryetarin e tyre Bujar Neziri, ka dhënë kontribut për ketë shtëpi. Presim që edhe objekti për personat me aftësi të kufizuara të ndërtohet shpejt”, ka thënë Reka

është e gatshme çdo herë kur flitet për të kontribuar për Kosovën. Nuk duhet përjashtuar gjithë kombin shqiptar se kur eshtë një punë e mirë të gjithë janë të gatshëm për të ndihmuar. Ju bëj thirrje që të gjithë të bashkëngjiten për të kontribuar në këtë objekt, dëshiroj që jo vetëm për ketë objekt por edhe objektet e tjera në gjithë Kosovën çka i përkasin personave me aftësi të kufizuara të rregullohen e tu dalin në ndihmë”, ka shtuar ai.

Në Komunën e Ferizajt thonë se nuk kanë buxhet për ndërtim të objektit, por premtuan infrastrukturë përcjellëse e leje ndërtimi.

“Ky objekt ka qenë i paparaparë që të ndërtohet nga Komuna, mirëpo për shkak të telasheve me buxhetin nuk kem arritur që ta nisim ndërtimin e këtij objekti. Toka për ‘Handikos’ është ndarë në vitin 2019, shpresojmë që nga iniciativa e mërgimtarëve po ashtu së bashku me Komunën të ndërtohet objekti. Tashmë ne i kem marrë hapat e parë, sot kem pasur kompanitë projektuese që të filloj projektimi i objektit dhe pas kësaj do ta kemi edhe koston finale se sa do të kushtojë objekti”, ka thënë Arbër Bytyqi, drejtor i Urbanizmit në Ferizaj.

“Deri më tani mendohet që rreth 400 mijë euro të jetë shuma totale për ndërtimin e objektit. Sa i përket infrastrukturës në Ferizaj në vazhdimësi janë punuar me stanartet që u janë përshtatur personave me aftësi të kufizuara”, ka shtuar ai.

Personat me aftësi të kufizuara vazhdimisht kanë shprehur pakënaqësi sa u përket infrastrukturës, si dhe punësimeve në të gjithë Kosovën.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rreth 80 mijë persona janë me aftësi të kufizuara.