SOT

Mekaniku që ushtria i ndihmoi në zgjedhje të profesionit

Punën që e nisi gjatë shërbimit ushtarak për të kaluar kohën e lirë e ktheu në profesion të jetës së tij.

Është ky Ruzhdi Morina, i cili për më tepër se 30 vjet ushtron profesionin e mekanikut, të cilin thotë se nuk e kishte menduar se do ta bënte.

Pasioni për makinat dhe detajet e tyre u bënë më të dashura për të sesa shkollimi dhe profesioni i inxhinierit të komunikacionit.

Ai tregon se e gjitha nisi në aeroportin e Zagrebit.

“Ky profesion ka filluar në ushtrinë e ish-shtetit jugosllav, kam qenë si i ri, kam punuar në një profesion përafërsisht të njëjtë në llamarinat e aeroplanëve në aeroportin e Zagrebit. Diçka krejt vetvetiu ka nisë ashtu, kam thënë hajt ta bëj një makinë për vete, ku kam punuar në të për qejfi, për veti dhe e panë njerëzit që e kanë njohur këtë punë duke më thënë përse nuk e vazhdon këtë ma tutje dhe kështu e fillova për pasion e më është bë profesion’.’

Në punishten e tij vijnë klientë me vetura të ndryshme. Kjo, sipas tij, e bën punën më interesante e sfiduese.

“Profesioni i autokarrocerisë siç unë e quaj nuk dallon, sepse ta marr një shembull në mjekësi do të ishte e turpshme ta dalloje moshën, ta mjekoje një të moshuar apo të mos e mjekoje duke e mjekuar një të ri. Do të thotë profesioni im nuk njeh kategori automjeti, koncept automjeti, vjetërsi automjeti, të gjitha ne duhet t’i riparojmë dhe secila e do përkushtimin e vet dhe riparimin adekuat’’.

Morina kujton edhe një skenar interesant që i ka ndodhur gjatë përvojës 30- vjeçare me makinat.

“Një rast e kemi pasur me një veturë ‘Ford’ xhip të cilit nuk kemi mundur t’ia gjejmë pjesën edhe e kemi adaptuar derën, e kemi kthyer një derë në gjendjen e njëjtë e cila ka qenë për t’u hedhur duke i përdorur disa vija gjeometrike duke përdorë edhe ca shabllone që i kemi krijuar vetë dhe kemi arritur me rregulluar të njëjtën veturë. E kemi rregulluar me kusht që vitin tjetër kur të vjen me sjellë derën dhe me ia ndërruar, pasi që ka qenë rast me një bashkatdhetar i yni, mirëpo kur erdhi vitin tjetër ai tha se dera funksionon për mrekulli dhe nuk ka nevojë për ndërrim’’.

Vetura të dëmtuara nga aksidentet e të tjera që kanë nevojë për riparime të zakonshme janë pjesë e punishtes gati çdo ditë.

“Në këtë rast kjo punë që është bërë këtu, kjo derë ka qenë e dëmtuar bukur shumë dhe pjesë e gjysmëhënës. Me punën që e kemi bërë ne e kemi kthyer në gjendje superiore. Së pari bëhet leximi i terrenit gjegjësisht mbikëqyrja e shkallës së punës a është për riparim apo s’është për riparim domethënë nëse e ka kaluar 50 për qind të dëmtimit nuk vlen. Mirëpo në këtë rast shkalla e riparimit ka qenë e arsyeshme, është riparuar dhe është kthyer në gjendjen që po e shihni’’.

Thotë se edhe ai sikurse edhe klientët i preferon më shumë veturat gjermane, të cilat edhe e mbizotërojnë tregun.