E gjithë jeta e tij ishte dhe vazhdon të jetë e përkushtuar në shërbim të vendit.
Në të 90-tat, Afrim Veseli në moshë të re vendosi t’i bashkohej ushtrisë.
Sot flamuri i Kosovës, kombëtar dhe i Amerikës valojnë 365 ditë në vit në hyrje të shtëpisë së kolonelit.
Përkrah tyre qëndron edhe vetura e ushtrisë të cilën ai personalisht e ka rregulluar.
“Unë isha djali i vetëm i familjes dhe në mars të vitit 1981 kemi formuar celulën e parë në Prishtinë të quajtur ‘Flamuri i Kuq’. Kemi bërë aktivitete me shokët e mi në atë kohë kundër pushtuesit. Frymëzimin e kam marrë nga prindërit dhe daja im dhe në Ushtrinë Çlimtare të Kosovës vendosa të inkuadrohesha në vitin 1998, pak kohë pas rënies së komandantit Adem Jashari”, tregon ai.
Tashmë kur Kosova është shtet i pavarur janë simbolet kombëtare ato me të cilat ai ushqen atdhedashurinë.
“E gjithë jeta ime është lufta për liri e çlirim. Në shtëpinë time dua që gjithçka të ketë simbolikën e atdheut, në hyrje të shtëpisë kam 3 flamujt, i pari është flamuri për të cilin luftova, tjetri është i shtetit tonë dhe po ashtu edhe flamuri i veçantë i Amerikës me të cilën ne jemi të lidhur emocionalisht”, shton ai.
Afrimi dikur njihej me një nofkë të veçantë, me të cilën e pagëzoi djalin e tij të vetëm. Malsori, tani 16-vjeçar i rritur në një familje ushtari thotë se ndihet i privilegjuar që është pjesë e saj.
“Ndihem një fëmijë krenar, i disiplinuar nga kultura e babait. Babai ka qenë luftëtar bashkë me shokët e tij dhe ka luftu për neve të jetojmë në liri. Ai më ka tregu po ashtu edhe për luftën e Kosovës, për dëshmorët që dhanë jetën e tyre, kjo ka ndiku në jetën time, sepse jam rritur me një disiplinë që jo çdo fëmijë e ka”, tregon ai.
Malsori po shkon në hapat e të atit, e që synim ka në të ardhmen të jetë ushtar i Kosovës.
“Kjo është një makinë interesante që babai e ka rregulluar vetë, është një veturë që të gjithë që e kanë parë, kanë qenë kurioz për të. Ëndrra ime është që të ndjek hapat e babait dhe në të ardhmen t’i shërbej vendit tim dhe t’i bashkohem Ushtrisë së Kosovës”, thotë Malsori.
24 vjet në uniformë ushtarake, e 19 në shërbim të Forcave të Sigurisë së Kosovës, 14-vjetori i pavarësisë do të jetë i fundit që do të festojë si pjesë e FSK-së.
“Ky është vendi më i bukur në botë për mua, është shtëpia ime dhe gjittçka që po shihni është puna shumëvjeçare e TMK-së dhe FSK-së. Tani jeni duke parë një ambient të mrekullueshëm, është ndjesi e krenarisë e dashuri ndaj atdheut, uniforma është e shenjtë, ashtu edhe shërbimi ndaj atdheut”, shton koloneli.
Në moshën 55-vjeçare Veseli po pensionet dhe 21 shkurti do të jetë e fundit në punë. Është i lumtur që ushtria e Kosovës sot pranë vetes ka djem dhe vajza të forta.
“Jam i lumtur që po pensionohem dhe pas meje po lë shokë e shoqe të mira, i kam shërbyer gjithmonë atdheut, kam realizuar projekte të shumta anembanë vendit. Jam i sigurt që djemt më të mirë në këtë vend janë në FSK dhe ata do ta vazhdojnë rrugëtimin tonë të cilin e nisëm në ’98-n”, tregon ai.
Ai thotë se gjurmët e tij në FSK do të mbesin gjatë, e kjo falë obeliskut të lirisë i cili është projekt i tij.
“Kam realizuar projekte të shumta, Obelisku i Lirisë është më i fundit, gjithçka që shihni këtu e kam realizuar vetë dhe me ndihmën e disa shokëve të mi. Mburrem me këtë projekt, është vendi ku rrinë shpirtat e dëshmorëve, simbolizon rrugëtimin tonë historik, FSK-në, këtu është historia dhe jam i lumtur që kur kaloj rrugës pas pensionimit do ta shoh këtë projekt nga larg”, rrëfen ai.
Pensionimi nuk është i lehtë për askënd, e sidomos kur bëhet në moshë më të re. Por koloneli është nuk do të ndalet së shërbyeri ndaj vendit dhe ka projekte me të cilat synon të vazhdojë të kontribuojë nga jashtë.
“Janë disa projekte që kam dëshiruar t’i realizoj dhe më kanë mbetur peng, e kemi pasur një propozim-projekt për ndërtimin e banesave sociale që t’iu ndahen pjesëtarëve të FSK-së. Shpresoj se kryetari i ardhshëm do të bashkëbisedoj me mua tani si civil dhe ato banesa t’iu ndahen ushtarëve të FSK-së, sepse me të vërtetë kanë nevojë”, thotë në fund koloneli.
Karriera e suksesshme është shpërblyer me 5 medalje për shërbimin e kryer e me mirënjohje nga miqtë ndërkombëtarë, në veçanti Ambasada amerikane.