SOT

Me 1620 rrëmojëse, 16 vjeçi Blendi Zogaj punon kullën Ejffel

Në një dhomë të veçantë po e ruan versionin e tij të Kullës së Ejffelit, të cilën e punoi me 1620 rrëmojëse.

Kjo është vepër e 16-vjeçarit nga Prishtina, Blendi Zogaj.

Punimi me rrëmojëse i monumentit më të vizituar në Paris nuk është i pari i realizuar nga Blendi. 

Dy të tilla i kishte punuar më parë. Por këtë të fundit e realizoi në një kohë rekord, për vetëm 1 muaj.

E për çdo detaj që kërkon puna e tij artistike, i gjendet pranë e ëma. 

“Disiplina dhe edukata e lartë e Blendit më kanë bërë mua si nënë që të jem pa hezitim në mbështetje të tij. Këto virtyte Blendit ia sollën edhe sukseset e njëpasnjëshme, duke përfshirë këtu ekspozitat e ndryshme brenda e jashtë vendit. Ka një talent të veçantë, të cilin mendoj se të tillë e gëzon vetëm Blendi në këtë formë arti. Për materialet e gjithçka që i duhet Blendi e di që mua më ka pas”, thotë nëna e tij, Valdete Demaj. 

Prej vitesh Blendi nisi t’i përdorte materialet e riciklueshme për të krijuar punime artistike. 

Atë që ia sheh syri e punon dora e tij, ani pse shumicën i ka punime në miniaturë. 

“Këto punime që i bëj unë kanë një vlerë të veçantë për mua, sepse teksa punoj më duket se çdo problem që e kam më largohet duke u fokusuar plotësisht në realizimin e punimeve. Madje edhe të ardhmen time e shoh me punime të tilla, sepse çdo herë e më shumë jam duke i bërë më të përsosura. Shumicën e punimeve i kam të vogla, por punimin që po e shihni sot, pra Kullën Ejffel, e kam ndërtuar me madhësi, pasi që kështu e kanë kërkuar si dhuratë. Materialet që i përdori janë thuajse të gjitha të ricikluese”, tregon Blendi.

Si art, 16-vjeçari thotë se kërkon kosto të lartë shpenzimesh.

Por kjo nuk e ndaloi t’i siguronte materialet, me të cilat realizoi punime që ia sollën edhe titullin si “Artisti pa kufij”. 

“Materialet e punës që i përdori më së shumti janë: stiropori, paketat dhe rrëmojëset. Thuajse pjesën më të madhe të punimeve të mia i kam me këto materiale, për të cilat kujdeset nëna që të m’i sigurojë. Si art është i kushtueshëm dhe krejt kjo varet nga lloji i punimeve që kam për të punuar, por nuk jam ndalur. Mendoj që dashuria e madhe për këtë lloj arti më ka ndihmuar që të paraqitem në shumë ekspozita vendore e ndërkombëtare, e gjithashtu falë punimeve të mia sot jam zgjedhur ‘Artisti pa kufij’ si i vetmi në moshën time që e kam fituar këtë titull”, thotë Blendi.

Edhe pse dallohej nga moshatarët në shkollë, falë artit që ai bën, në fillimet e tij thotë se është ndier i paragjykuar. 

“Në moshë krejt të re kur nisa të krijoj vepra të tilla, jam paragjykuar goxha. Nuk paragjykohesha vetëm nga moshatarët e mi, por edhe nga ata të moshave të rritura, sidomos edhe prej atyre që kanë kuptuar rreth artit e kulturës. Ka pasur raste kur kam marrë iniciativë për t’i ndihmuar fëmijët me kancer në QKUK, edhe pse nuk e kam bër për ta përmendur asnjëherë, por komentet pas kësaj kanë qenë gati demotivuese dhe jo përkrahëse për një gjest sado pak human”, shton ai. 

Angazhimet me shkollën, kurset e punën artistike, thekson se nuk i lënë hapësirë t’i futet ndonjë gare për rekorde botërore.

Një gjë të tillë nuk e përjashton si mundësi në të ardhmen. 

“E kam menduar shpesh edhe paraqitjen time përmes këtij arti në garë për rekorde botërore, por nuk po më premton koha. Gjithsesi në një të ardhme kur besoj se do të lirohem prej disa angazhimeve ditore që i kam, synoj që të paraqitem me ndonjë vepër time artistike në garë për ndonjë rekord botëror, deklaron ai. 

Rinisë kosovare Blendi i drejtohet me thirrje që t’i ndjekin pasionet e tyre dhe të mos i lënë anash, pavarësisht paragjykimeve. 

“Cilëndo fushë a profesion që ju e doni, atë bëjeni, sepse aty do ta keni përkushtimin 100%. Pak rëndësi ka a paragjykoheni apo përjetoni bullizëm prej të tjerëve. Rëndësi ka që me punën tuaj të mund ta përmbushni ëndrrën tuaj e nesër të merrni kauza të ndryshme për t’i ndihmuar dikujt që mund të ketë nevojë”, thekson ai.