E përderisa çmimet janë rritur, kjo ka vështirësuar jetesën edhe të shumë familjeve në nevojë. Megjithatë në Prishtinë, për ju që nuk e dini ekziston një dyqan social, i cili është aktiv qysh vitin e kaluar. Produkte të shumta ushqimore paketohen nga shoqata “Bereqeti” për t’ua dërguar familjeve nevojtare. Kjo nismë ishte e përbashkët nga kjo shoqatë dhe Drejtoria për Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës.
Ky dyqan ka një vit që është funksional dhe ndodhet në qendër të Prishtinës. Në të paketohen produkte ushqimore, të cilat u dërgohen familjeve në nevojë.
Dyqani social është një iniciativë e përbashkët e Drejtorisë për Mirëqenie Sociale të Komunës së Prishtinës dhe shoqatës humanitare “Bereqeti”.
“Për ne është një fat i madh që e kemi shoqatën “Bereqeti”, me të cilën kemi qenë bashkë që nga fillimi i hapjes së këtij dyqani bamirës, i cili është i furnizuar me të gjitha gjërat esenciale që duhen për një familje. Në tërë këtë rrugëtim ne kemi pasur dhjetëra familje që janë shërbyer nga dyqani social këtu në Prishtinë. Për 1 vit prejse e kemi hapur, në këtë dyqan kanë gravituar më shumë se 100 familje në këtë hapësirë për të ardhur dhe për t’i marrë gjërat esenciale ushqimore”, ka thënë Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Prishtinë, Adelinë Sahiti.
Sahiti, shtoi se në kryeqytet aktualisht janë 930 familje në nevojë.
“Fatmirësisht kemi zbritje në numër të familjeve në nevojë, sepse kur kemi ardhur si qeverisje e re kanë qenë rreth 1.000 familje nevojtare, ndërsa tani kemi zbritur nën 1000. Aktualisht janë rreth 930, sipas vlerësimeve të fundit që janë bërë. Ne synojmë që këtë numër ta zbresim edhe më shumë. Duhet ta theksojmë se gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, shoqata ‘Bereqeti’ solidarizohet edhe më shumë me familjet nevojtare”, ka deklaruar ajo.
Mbi 100 familje kanë përfituar deri tani nga dyqani bamirës për t'u furnizuar me produkte ushqimore.
“Duke e ditur nevojën e madhe të qytetarëve tonë në Komunën e Prishtinës, por edhe në të gjithë vendin, sepse shoqata jonë është aktive gjatë gjithë vitit, në bashkëpunim me Drejtorinë për Mirëqenien Sociale në Prishtinë e kemi bërë vitin e kaluar hapjen e këtij dyqani, të cilin e kanë frekuentuar më shumë se 100 familje. Nga bizneset e vendit që i kemi në kryeqytet dhe në Kosovë, në të shumtën e rasteve ofrojnë produkte esenciale e pastaj ne i dërgojmë ato deri te qytetarët në nevojë”, është shprehur Behxhet Ajvazi - drejtor i shoqatës humanitare “Bereqeti”.
Përveç paketimit, stafi i shoqatës “Bereqeti” merr përsipër edhe shpërndarjen e pakove te qytetarët.
Nga puna në terren, ata veçojnë Mitrovicën si komunën me numrin më të madh të familjeve nevojtare.
“Meqë jemi në muajin e shenjtë të Ramazanit, kujdesemi që të organizohemi edhe më shumë në nivel vendi. Deri më tani i kemi përgatitur mbi 18 mijë pako në nivel vendi dhe janë shpërndarë te familjet që kanë nevojë, e për përgatitjen e këtyre pakova kanë kontribuar edhe bizneset e ndryshme e po ashtu edhe mërgata. Ne dalim vazhdimisht në terren dhe kemi arritur ta kuptojmë se familjet në nevojë në numër të madh janë ato të rajonit të Mitrovicës”, ka theksuar Ajvazi.
Dyqani bamirës në Prishtinë është i hapur çdo ditë.
Synimi i shoqatës “Bereqeti” është të rrisë numrin e pakove dhe t’i shpërndajë ato për familjet nevojtare në të gjithë Kosovën.