SOT

Masakra e 53 anëtarëve të familjes Muqolli në Poklek

Secili cep i shtëpisë, Fadil Muqollit nga fshatin Poklek i Vjetër i Drenasit, ia kujton 53 anëtarët e familjes së tij e të atyre Cerraku, Elshani e Hoxha, që 24 vjet më parë u vrarë, u masakruan e më pas edhe u dogjën nga forcat serbe.

Muqolli e rrëfen nën emocione ngjarjen e 17 prillit të 1999-s, kur iu vranë edhe bashkëshortja 33-vjeçare, Feridja, vajza Shehide, 14-vjeçare, si dhe djemtë, Naseri 12 vjeç, Ylberi 10 e Egzoni vetëm 4 vjeç.

“Me datë 17 prill të vitit 1999, në orët e hershme të mëngjesit, ka filluar një ofensivë në fshatin tonë. Unë, më datë 16 prill, kam ardhur në shtëpi, familja është kthyer nga fshati Vasilevë, 5 ditë para masakrës. Ajo natë ka qenë shumë e hareshme, ku unë nuk e kam kuptuar se çfarë po ndodh, familjarët e kanë përgatitur një darkë dhe unë kam pyetur se çfarë po ndodh. Kemi ndenjur deri në ora 2:00 të mëngjesit, atë natë nuk do ta harroj kurrë. Pasi kemi kaluar natën, në ora 6:00 të mëngjesit ka filluar ofensiva në fshatin tonë. Familja ka vendosur të nisen për në Drenas. Janë nisur. Unë jam bind që familjen nuk e kam në fshat. Forcat serbe na kanë sulmuar me të gjitha mjetet nga anë të ndryshme, edhe unë jam detyruar të largohem nga fshati duke e ditur se në fshat nuk ka më civilë. Unë kam qenë ushtar me gjithë vëllain”, thotë Muqolli.

Por ai nuk ishte në dijeni që familjarët i ishin detyruar të ktheheshin në shtëpi. E po atë natë edhe ndodhi masakra, prej së cilës i mbijetuan vetëm 6 nga anëtarët më të gjerë të familjes.

“Forcat serbe kanë hyrë në fshat, familjarët i kanë urdhëruar të dalin jashtë në oborr, i kanë numëruar dhe i kanë futur në shtëpi. Babanë tim dhe Ymer Elshanin e kanë ndarë nga pjesëtarët e tjerë të familjes. I kanë zhvendosur 40 metra nga shtëpia dhe i kanë ekzekutuar. Pas ekzekutimit të tyre janë kthyer menjëherë në shtëpi, ku kanë qëndruar 57 persona. Kanë hedhur bomba dhe kanë shtënë me armë derisa kanë menduar se janë vrarë të gjithë. Nga kjo dhomë kanë shpëtuar 6 persona - Hysen Kluna, Ramadan Muqolli, Lumnije Muqolli, Arbenita Muqolli, Elheme Muqolli dhe Leotrim Carraku. Ramadan Muqolli ka ndërruar jetë ndërsa 5 të tjerë janë në jetë”, tregon Muqolli.

Trupat e viktimave më pas janë djegur tri herë përbrenda kësaj dhome. Muqolli rrëfen se forcat serbe nuk patën kursyer as pleq e fëmijë. Më i vogli që u vra, tregoi se ishte vetëm gjashtë muajsh, e më i moshuari, 75 vjeç.

“Në këtë dhomë janë vra 51 persona, mesin e tyre kanë qenë 23 fëmijë prej moshës 6-muajshe deri në moshën 14-vjeçare. Në këtë dhomë, sipas dëshmitarëve, kanë mbetur fëmijë të gjallë, persona të plagosur. Këtu forcat serbe janë kthyer e kanë djegur dhomën dhe kufomat. Këtë e kanë përsëritur edhe të nesërmen, ndërsa të pasnesërmen forcat serbe e kanë djegur dhomën dhe gjithë shtëpinë. Unë dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, pas 5 ditësh, kemi ardhur në shtëpi për t’i marrë eshtrat. Eshtrat i kemi zhvendosur në bunker, ku kanë qëndruar deri pas luftës, ku edhe janë varrosur”, rrëfen Muqolli.

Krahas bashkëshortes e fëmijëve, Fadil Muqolli atë ditë humbi edhe nëntë anëtarë të tjerë të familjes, përfshirë prindërit, katër motrat dhe bashkëshorten e vëllait, me dy fëmijët e tyre.

“Sinan Muqolli, Elheme Muqolli, Emine Muqolli, Elife Muqolli, Sherife Muqolli, Hafije Muqolli, Feride Muqolli, Shehide Muqolli, Naser Muqolli, Ylber Muqolli, Egzon Muqolli, Hyle Muqolli, Florentina Muqolli, Lirie Muqolli (gjashtëmuajshe), Mehreme Muqolli, Bahrije Muqolli, Naime Muqolli, Hidajete Muqolli, Menduhie Muqolli, Mirsad Muqolli, Mergim Muqolli, Ymer Elshani, Nafije Elshani, Shukrije Elshani dhe katër djemtë e Ymerit, Miradije Muqolli, Zarife Muqolli, Arife Muqolli, Florije Muqolli, Eronita Muqolli, Fatos Muqolli, Shemsije Muqolli, Vezire Muqolli, Fatmire Muqolli, Rexhep Muqolli, Agron Muqolli, Albulena Muqolli, Nexhmije Muqolli, Hasime Muqolli, Avdullah Muqolli, Shehrije Muqolli, Vahide Muqolli, dy djem të Mehdiut, njëri 10 muaj, tjetri dyvjeçar, Kimete Muqolli, Lindita Hoxha nga Korrotica e Epërme, Bahtije Carraku, Besart Caraku, Hasan Carraku”, tregon ai me radhë emrat e të vrarëve.

Krejt këto libra e fletore, Muqolli thotë se janë kujtimi më i vlefshëm nga fëmijët e vrarë, që e kthejnë prapa në kohë.

“Këto janë librat e fëmijëve. Këto libra i kam fshehur në një veturë të vjetër. Për mua janë shumë të vlefshme, sepse kur i shoh këto i shoh edhe fëmijët e mi”, tregon Muqolli.

Në jetë ai thotë se e mbajnë dy fëmijët e tij, të cilëve ua ka lënë emrat e vëllezërve të vrarë gjatë luftës në Kosovë. E dy dekada pas masakrës, ai ende mban shpresë se një ditë, drejtësia për familjarët e tij do të vihet në vend.

“Unë flas në emirin tim personal, jam i zhgënjyer deri në atë masë sa që them se drejtësia ndërkombëtare nuk ekziston fare. Çka i duhet një drejtësisë ndërkombëtare dhe sa kohë që kriminelët dhe shtetin kriminal që e ka bërë këtë masakër ta dënoj, kur ka fakte e dëshmitarë. Ndërsa drejtësia në Kosovë është në koma për mua”, thotë Muqolli.

24 vjet pas çlirimit dhe shtetësisë së Kosovës, ai e ka një mesazh për të gjithë qytetarët.

“Ju uroj gjithë popullit të Kosovës ditën e çlirimit. Ju bëj thirrje që të punojmë, veprojmë dhe ta duam atdheun që e kemi paguar shumë shtrenjtë”, thotë Muqolli.

E shtëpia e familjes Muqolli, krahas çdo përvjetori, pret përditë vizitorë të ndryshëm, vendorë e ndërkombëtarë.