Në këtë material do të sjellim pamjet e bukura të Liqenit të Rubovcit në Komunë të Kamenicës. Por përveç natyrës së mrekullueshme që e gëzon ky vend turistik, mbeturinat janë pamja që ia zbeh bukurinë këtij vendi. Për disa herë me radhë, fotografi Arian Mavriqi e ka gjetur të ndotur me mbeturina hapësirën rreth liqenit, teksa edhe i ka filmuar ato pamje.
Është një ndër atraksionet më të veçanta. Ky është Liqeni i Rubovcit. Prej shumë vjetësh, kjo bukuri natyrore e Kamenicës frekuentohet jo rrallëherë nga banorët e Rubovcit dhe jo vetëm.
Pranë tij, komuna ka ndërtuar vende ku banorët e vizitorët, mund të qëndrojnë pranë liqenit e të kalojnë kohë të mirë në natyrë.
Por, ndotja e ambientit në këtë pjesë, që vjen si rezultat i hedhjes së mbeturinave mbetet shqetësim i vendësve.
“Këtu jemi në fshatin Rubovc të Kamenicës ku po e shihni liqenin e Rubovcit. Penda e tij ka qenë e ndërtuar që në vitin 1962 dhe që atëherë ka qenë një atraksion i veçantë për këtë vend. Ky realisht është edhe i vetmi liqen në komunën tonë, tashmë i shndërruar në një vend turistik, pasi që komuna i ka ndërtuar këto hapësira, këto ulëse për banorët dhe ata që vijnë në vizita. Por për fat të keq ende po mungon një edukatë për ruajtjen e ambientit”, tha Arian Mavriqi.
Mavriqi si dashamirës i natyrës, shpeshherë edhe del e pastron ambientin.
“Dikush mund të thotë pse këto nuk ka shporta për hudhjen e mbeturinave, por nuk është arsyetim ky. Duhet të vetëdijesohemi që t’i marrim me vete sapo të largohemi prej aty. Asnjë mbeturinë nuk është në favor të natyrës e as njeriut, por me theks të veçantë plastika, e cila i bën dëm të jashtëzakonshëm shëndetit të njeriut së pari e patjetër se edhe natyrës”, tha Mavriqi.
Në ndotjen e ambientit, sipas fotografit, kontribuojnë edhe peshkatarët.
“Kjo është pjesa tjetër e liqenit, për të cilën të tregova se është në gjendje aspak të mirë. Kjo është vepër e peshkatarëve. Mbeturina gjithandej, e që në kushte normale nuk do të duhej të ndodhte kjo. Kjo na flet për një problem shumë serioz për këtë liqen, nëse nuk arrijnë të vetëdijesohen për pasojat që i sjellin këto mbeturina. Sepse vetëm një shishe e plastikës si kjo këtu i duhet mbi 100 vjet për t’u asgjësuar”, deklaroi ai.
Mavriqi bën thirrje që ta duam natyrën dhe të marrim më të mirën prej saj.
“Gjenerata e re uroj ta kuptoj mesazhin të cilin po e drejtoj. Apeloj te të gjithë të rinjtë sidomos, që të dalin në natyrë, ta duan, por të mos hedhin mbeturina. Edhe nëse nuk kanë shporta le t’i marrin me vete, por edhe të ndikojnë të shoqëria e tyre, sepse kjo është në të mirën e përgjithshme të shëndetit tonë”, tha Mavriqi.