SOT

Liqenet e Kosovës të pasigurta për not

Vizitorët mund të shëtisin, të peshkojnë apo edhe të pushojnë, por jo edhe të lahen e të notojnë në liqenet e Kosovës. Kjo pasi që në baza ligjore aktivitetet rekreative e posaçërisht noti janë të ndaluara në liqen.

Për këtë njohësit e ujërave kanë theksuar se shkak i kësaj janë bërë cilësia dhe rrezikshmëria natyrore në ujë. Ndërkaq Ministria e Ambientit dhe kompania e ujësjellësi rajonal “Prishtina” vazhdimisht po apelojnë tek qytetarët që të kenë kujdes, të mos e praktikojnë notin në liqene.

Fatlie Buza, përgjegjëse e ujarëve sipërfaqësore dhe nëntokësore në Kosovë, ka thënë se liqenet janë të pasigurta për larje dhe not.

“Liqenet e kanë bazën ligjore që duhet të mbikëqyren edhe të mirëmbahen. Në bazë ligjore janë përgjegjësi të ndara që duhet krejt kohën të jemi vëzhgues të liqenit. Ministria jonë ka hartuar legjislacion për çështjen e liqeneve që të ketë sa më pak pasoja të ndonjë aksidenti natyror apo ndotjeje që mund të ketë pasoja më të gjëra. Në liqen është e ndaluar larja, që nënkupton larjen e popullatës, që përdoret për rekreacion. Disa vende edhe e praktikojnë larjen, por duke e parë se këto liqene mund edhe të vjetrohen, edhe rrezikshmëria është më e madhe”.

Ndër të tjerash, Buza thekson se peshkimi e shëtitja nuk ndalohen në liqene.

Për larje dhe not në liqene duhet të plotësohen kushtet në aspektin kimik dhe bakteriologjik, ka shpjeguar Avdi Gjonabalaj, njohës i ujërave.

“Fatkeqësisht Kosova nuk ka nxjerrë ende asnjë ligj, asnjë akt normativ në lidhje me larjen në ujëra. Unioni në vitin 2006 e ka nxjerrë direktivën e vet dhe konform asaj është dashur edhe na ta nxjerrim aktin i cili përcakton se si përcillet, cilat janë të përshtatshme kur bëhen dhe çka bëhen. Kosova është e mangët edhe pse i ka 22 vjet ekzistencë. Për t’u larë duhet të plotësohen kushtet, nuk mundet me ardhë çdokush dhe me zbarku çka kanë aty, me pas tualetet që mos me mbetë asgjë aty, është problem edhe për njerëzit që lahen e përpijnë ujin fëmijët, të rriturit, sëmundjet e lëkurës. Prandaj për me klasifikuar ujin për larje duhet të plotësohen kushtet në aspektin higjieno-sanitar”.

Për vetëdijesimin e qytetareve Sokol Xhafa, drejtor nga kompania e ujësjellësit rajonal “Prishtina”- ka premtuar se së shpejti do të vendosen treguesit për ndalesën e notit në liqenin e Batllaves dhe atë të Badovcit.

“Për fat të keq shumë peshkatarë, shumë vizitorë që gravitojnë aty i lajnë mbeturinat, i hedhin nga veturat, për fat këto dy liqenet janë afër rrugës dhe kjo është rrezikshmëria nga mbeturinat. Po gjithsesi pjesa e Badovcit po mirëmbahen nga hortikultura”.

Xhafa thekson se çdo aktivitet rekreativ-sportiv që rrezikojnë pushuesit dhe liqenin ndalohen me ligj dhe për këtë duhet të ketë gjoba.

të dy liqenet ndalohet çdo aktivitet 10 metra në zonën afër liqenit, që nënkupton edhe peshkimin, edhe notimi, edhe çdo qasje brenda liqenit, pa leje të institucionit është e ndaluar. Pikërisht për këtë vendosim shenjat që tregojnë ndalimin e këtyre aktiviteteve. Para dy ditësh kemi raportuar pasi kemi pasur hyrje ilegale në Liqenin e Bodovcit, në pjesën e varkave me motor, të cilat janë të ndaluara në liqene që përdoret për ujë të pijshëm, e kemi njoftuar Ministrinë dhe po shpresoj të kemi reagimin e tyre”.

Bashkim Krasniqi, kryetar i Federatës se Peshkatarëve në Kosovë, tregon se peshkimi në liqenet e Kosovës janë të lejuara, por ka një orar të caktuar, jo në çdo kohë mund të peshkohet.

“Peshkimi në liqenet e komunave të Kosovës është i lejueshëm. Peshkatari duhet të ketë 2 fotografi, letërnjoftimin dhe pagesa për t’u pajisur me letër të peshkimit. Orari i peshkimit është në mëngjes, por edhe gjatë ditës dhe në vikende. Në Kosovë janë diku 3100 peshkatarë të pajisur me leje të peshkimit”.

Krasniqi apelon për çdo peshkatar që pas peshkimit mbeturinat t’i marrin me vete.

Ndërkaq për vizitorët e Badovcit peshkimi ka rëndësi të madhe në shëndet teksa disa prej tyre larjen dhe notin nuk e mohojnë se e aplikojnë, edhe pse janë të vetëdijshëm që kjo gjë është e ndaluar.

Vite më parë në Batllavë ishin ndërtuar edhe plazhe, të cilat nga MMPH-ja u vlerësuan si të kundërligjshme.