SOT

Liqenati, vendi që po tërheq mijëra vizitorë

Rreth 2 orë duhet ecur këmbë për të arritur në “Liqenatin” e Kuqishtës së Pejës.

Pishat, burimet e ujit dhe ajri i freskët janë të mirat e këtij vendi.

“Liqenatin” e vizitojnë turistë vendorë e të huaj.

Ilirian Binakaj dhe Valdrin Jaha janë dy shokë që kanë marrë rrugë nga Gjakova për ta vizituar liqenin. Është hera e parë e tyre që e vizitojnë, por mbeten të mahnitur nga bukuritë natyrore.

“Sot kam ardhë me shokun tim nga Gjakova për ta vizituar këtë liqen, po na pëlqejnë shumë natyra, uji, pishat. Edhe herëve të tjera do të vijë së bashku me shokë në këtë vend”, thotë Binakaj.

Valdrin Jaha thotë se liqeni po e humb bukurinë nga mbeturinat që po i hedhin personat e pandërgjegjshëm.

“Bashkë me Ilirianin çdo të diel dalim vizitojmë vende të ndryshme. Në këtë liqen është hera e parë që vijmë në këtë liqen, na pëlqyen shume uji, natyra si dhe lundrimi me barka. Ishte vështirë pak rruga rreth 2 kilometra, por ia vlejnë për ta vizituar. Gjithçka është mirë, përveç mbeturinave, tabelat shkruajnë mos i hidhni mbeturinat dhe iu kisha lut që të mos i hedhin mbeturinat në këtë liqen”, thekson Jaha.

Liridona Lajçi është një rugoviane, e cila ecjen e ka pasion, ku çdo vikend viziton një vend brenda dhe jashtë Kosovës.

Liridona bashkë me bashkëshortin dhe vajzën e saj, për herë të parë vizituan liqenin e fshatit Kuqishtë të Rugovës. Thotë se do të rikthehen.

“Fatkeqësisht është hera e dytë që vij këtu. Vendi është tepër i bukur, ashtu siç shihet, për pamje nuk ka koment. Rruga është pak e mundimshme, por përderisa vjen këtu largohet krejt lodhja , ia vlen me vizatur. Unë edhe bashkëshorti kem ec vazhdimisht, tash prejse e kemi vajzën ecim nga 2-3 orë apo edhe më shumë”, tregon Lajçi.

Thellësia e liqenit është 3.90 metra, vizitorët mund të ecin dhe bëjnë piknik me familje, si dhe mund të lundrojnë me barkë.

Afrim Lajçin në çdo vikend, por edhe në ditët gjatë javës e shohim në këtë liqen. Barkat e tij i lëshon me qira, si dhe është i kujdesshëm ndaj ambientit.

Lajçi e njeh mirë terrenin e Rugovës, thotë se gjatë vikendit numri i vizitorëve është i madh.

“Nga viti 2020 kam filluar të dal me barka në këtë liqen, fillimisht si atraksion, pastaj si punë. Në çdo vikend dalë këtu, sepse ka më shumë vizitorë nga e gjithë bota. Diaspora e viziton shumë këtë liqen. Gjatë ditës deri në 1 mijë persona e frekuentojnë këtë vend. “Vullnetarisht çdo vikend mbeturinat që i lënë turistët i mbledh dhe e pastroj liqenin. Ju kisha bërë apel të gjithë atyre që e vizitojnë këtë vend të mos i hedhin mbeturinat”, thotë Lajçi.

Ai tregon kuptimin e emrit të liqenit. Thotë se nuk quhet siç e dinë të gjithë “Liqenat”, por “100 net”, pasi që barinjtë kohë më parë në këtë vend kanë qëndruar 100 net duke u kujdesur për bagëtitë e tyre.

“Njerëzit e kanë ngatërruar këtë pjesë, këtu thirret 100 net, jo Liqenat. Të parët tanë kanë dalë me bagëti dhe kanë qëndruar 90 ditë, por nëse ka marrë koha e mirë kanë qëndruar 100 net dhe pastaj janë kthyer prapë në fshatin ku kanë jetuar”, thotë Lajçi.

Në lartësi prej më shumë se 2 mijë metrave, Liqenati është vend ngjitjeje e ecjeje nga klube të ndryshme alpinizmi në vend.