Enciklopedi, libra figurativë, histori të vërteta dashurie, libra mbi qenien njerëzore e zanafillën e saj janë vetëm disa prej librave që shoqëruan lexuesit më 2020.
Për shumë prej lexuesve relaksimi përmes leximit në situatë me pandeminë u rrit.
E që, sipas Iliriana Hasajt nga libraria “Dukagjini’’ edhe librat e kërkuar ndryshuan.
‘’Libri që u është rekomanduar më së shumti qytetarëve është “Sapiens’’ i Hararit, për shkak se trajton historinë e specieve prej para më shumë se 100 mijë vjetësh...’’
Thënien “libri e gjen lexuesin e vet’’ më së miri e tregojnë vetë lexuesit që gjatë këtij viti kanë preferuar të eksplorojnë në shijet e tyre rreth librit.
Hasaj më tutje tregon se ka pasur edhe të tillë lexues që kanë preferuar librat motivues e ata që flasin për histori suksesi nga emra të njohur të politikës botërore.
Kryesore, sipas saj, është që leximi ka qenë pjesë e shumë njerëzve gjatë këtij viti, ndërkohë që janë preferuar edhe librat ilustrues e ata që shpjegojnë tekste të këngëve shqiptare.
Titujt që u blenë më së shumti këtë vit janë “Dashuri në kohërat e kolerës’’, “Tatuisti i Aushvicit’’, si dhe botimet e George Orwellit e shumë libra që flasin për psikologjinë e njeriut.
Lexuesve gjatë këtij viti iu ofrua edhe mundësia e shfletimit të 14 titujve të ri të botuar nga Botimet “KOHA’’. Përkundër një viti të vështirë, Anita Toçi tregon se interesimi për librat ishte i madh.
Me kërkesa nga më të ndryshmet Toçi shton se ka qenë e rëndësishme vëmendja për librin, derisa lexuesve iu ofrua edhe “mini-panairi i KOHËS’’.
Prej titujve më të kërkuar këtë vit në KOHA ishin librat biografikë, monografikë, ninullat popullore, librat e karrierës artistike, komeditë e librat me diskurs ndërkombëtar.