SOT

Librat ilustrativë lënë pas tregimet e dikurshme

Në pushim dimëror, bashkë me shkollat shkuan edhe bibliotekat brenda këtyre institucioneve. Megjithatë, Bora Thaçi, nxënëse e klasës së tretë, gjeti një kënd të ri të leximit. Pikërisht në bibliotekën afër shtëpisë, “Hivzi Sylejmani”.

Padyshim që me vete kishte miqtë e saj më të ngushtë, librat, por ishte e hapur drejt titujve të rinj që i rekomandonte bibliotekarja e sektorit të fëmijëve.

Shumica e librave të lexuar nga Bora kanë qenë të obliguar nga mësuesja e klasës, për çdo muaj. Pavarësisht kësaj, ajo thotë se ka edhe shumë të tjerë që i ka zgjedhur vetë.

Bibliotekarja Afërdita Pacolli, sigurohet që fëmijët të ndihen komodë e të kuptojnë të gjitha faqet e lexuara.

Për nxënësen e shkollës fillore “Faik Konica” mund të ishte hera e parë në këtë hapësirë, por kishte edhe prej atyre që janë impresionuar me rrëfimet e shumta që mund të gjejnë brenda.

“Djali miliarder”, “Harry Poter”, “Ditari i grekut”, librat e David Williams e Jeronim Stiltonit janë kryesisht libra të zgjedhur nga vetë fëmijët, thotë Pacolli.

Sipas saj, këta libra fëmijëve po u duken më atraktivë, megjithatë, tregimet e rrëfenjat e dikurshme vazhdojnë të mbesin më të kërkuarit, sepse mësimdhënësit janë ata që i propozojnë për t’u lexuar çdo muaj.

Bibliotekarja tregon që raftet pasurohen çdo herë me libra e në ditët e shkollës edhe numri i fëmijëve që vijnë për të lexuar është më i madh.

Edhe në ditët e zakonshme, fëmijët thonë se lexojnë çdo muaj libra të propozuar nga mësimdhënësit.