Raftet e kioskave në rrugë dikur ishin të mbushura me gazeta ditore e shpeshherë shërbenin si kontakti i parë drejt njoftimit me titujt kryesorë të ngjarjeve në vend e në botë. Kurse tani, të zbrazëta janë ato hapësira.
Ndarja e informatave në portale erdhi si lajm i trishtë për lexuesit e rregullt. E sidomos për fanatikët e vështrimeve, analizave e hulumtimeve të “Kohës Ditore”.
Qysh nga viti 1997, me daljen e parë të botimit ditor të gazetës “Koha Ditore”, Liridon Kadriu mban mend ta ketë blerë një kopje, për çdo ditë. Tash, refuzon ta ndryshojë rutinën. “Zaten kafja e mëngjesit nuk pihet pa gazetë”, thotë ai.
Ndonëse mund të shërbehet me të gjitha informatat e nevojshme përmes portalit koha.net, ai thotë se ka disa gjëra të cilat i mungojnë.
Madje, flet edhe për gazetarët, shkrimet e të cilëve i lexon me shumë kënaqësi. Kurse, shpenzimet financiare nuk i merr fare parasysh.
Po ashtu, në kohën kur ekzistonte rubrika “shprehu”, Kadriut i ishin botuar disa prej shkrimeve të tij.
“Bujku”, “Rilindja”, “Koha Javore”, e gazetat e tjera të dala pas luftës ishin vetëm disa prej tyre, të cilat ai i blinte, por si burim kryesor e të sigurt të infromacionit thotë se e kishte “Kohën Ditore”.
Liridon Kadriu, atë ua huazon të tjerëve e në fund të ditës ia dërgon babait në shtëpi, një tjetër fanatik i shtypit ditor.
Ditën e vazhdon duke e mbyllur gazetën me shpresën se një ditë ajo do të botohet përsëri.