SOT

Lëshim me litar nga Katedralja në përkrahje të grave me kancer të gjirit

Prishtina këtë verë ka qenë e mbushur me aktivitete të shumta. Të enjten në bulevardin “Xhorxh Bush” për herë të parë klubi alpin “Prishtina” kanë bërë lëshime me litar nga katedralja e qytetit.

Anëtarët e klubit alpin ishin duke u bërë gati që në një lartësi prej rreth 50 metrash të lëshoheshin më litarë. Kalimtarëve të rastit kjo ua tërhiqte mendjen, andaj ndalonin të shikonin performancën e tyre.

I tëri ky aktivitet ka pasur një qëllim dhe një mesazh te caktuar, që ka qenë përkrahja e grave me kancer të gjirit.

Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku, shprehet optimist se fushata të tilla do tërheqin vëmendjen e grave kosovare që të kryejnë kontrollet mamografike, ku këto shërbime në Prishtinë janë tërësisht falas.

E kënaqur shprehet edhe drejtoresha e organizatës “Renesansa” me seli në Prizren, Violeta Pirana, e cila përkrah gratë e prekura nga kanceri i gjirit.

Gratë e prekura nga kanceri i gjirit, gjithashtu edhe ato që kanë mposhtur këtë sëmundje në vazhdimësi kanë marrë përkrahje nga institutet shtetërore. Nuk ka munguar edhe përkrahja e qytetarëve të cilët kanë mbështetur kauzat duke blerë bluza me mesazhe ndërgjegjësimi.

Bluzat ngjyrë rozë vishen nga të mbijetuarat e kancerit të gjirit, e ato të bardha nga familjarët dhe rrethi shoqëror që i përkrah ato.

Pirana, Prishtinën e konsideron një hap përpara qyteteve të tjera sa i përket vetëdijesimit të grave për kontrolle dhe mamografi.

Violetës dhe grave të tjera që ishin të pranishme, performanca e alpinistëve u ka lënë mbresa.

Vëmendjen më të madhe e kishin alpinistët që lëshoheshin me litarë nëpër ballkonet e Katedrales.

Aktivitetet në mbështetje te grave të prekura me kancer të gjirit nuk ndalojnë me kaq. 1 tetori shënon muajin e vetëdijesimit të kancerit të gjirit, ku pikërisht në këtë datë në Prishtinë do të organizohet vrapimi “Race for the Cure”.