“Kush pi ujë në Shatërvanin e Prizrenit do të mbesë gjithmonë aty”. Ky mit ka përcjellë ndër vite banorët dhe turistët e qytetit piktoresk.
Sipas bashkëpunëtorit nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore, pas Shatërvanit qëndron një histori e tërë, deri në versionin e sotëm të arkitekturës së tij.
Përveç burimit të ujit, turistët vizitojnë Prizrenin edhe për të tjera monumente të tilla, si: kishat, xhamitë, urat, hamamet e Kalaja.
Në këtë kohë pandemie QRTK-ja pret që ky vit të jetë më i mbarë sa u përket turizmit dhe zhvillimit të kësaj fushe.
E piktori vendas, Besim Danjolli, bukurinë e vendit të tij e ka paraqitur përmes pikturave, duke i theksuar ato që janë trashëgimi kulturore.
Danjolli për këto monumente rrëfen me fanatizëm edhe për legjendat e mitet e përcjella ndër breza, të cilat ia pasurojnë historinë kulturore vendit.
Përveç gojëdhënave për Shatërvanin, piktori tregon edhe legjendën e urës së dashurisë që më parë është quajtur “Ura e Naletit”.
E sa u përket vizitorëve, ata thonë se i besojnë mitit për Shatërvanin e Prizrenit, duke nisur nga rastet e dëgjuara. Mirëpo kishte edhe nga ata qytetarë që refuzonin të besonin gojëdhënën duke u bazuar nga eksperienca personale.
Prizreni gjithmonë ka një atmosferë festive, por kësaj radhe hasëm edhe një ngjarje muzikore shkollore me valle e këngë, e cila na përcolli gjatë tërë rrugëtimit tonë atje.