SOT

Lebana fshati që po rritet, nga 64 tani në 250 shtëpi

I rrethuar me male, 10 kilometra larg qendrës së Prishtinës, shtrihet fshati Lebanë.

Përderisa shumë fshatra të Kosovës viteve të fundit po braktisen, Lebana është një fshat që po pëson rritje të numrit të shtëpive çdo herë e më shumë.

Dikur ishte një fshat që kishte vetëm 64 shtëpi ndërsa tani numëron 250 shtëpi.

“Jam banor i këtij fshati i lindur e i rritur këtu. Edhe prindi e stërgjyshi kanë qenë të lindur këtu. Është fshat në magjistralen Prishtinë-Podujevë, rreth 10 kilometra larg Prishtinës. Është fshat i bukur me të gjitha të mirat, është në rritje e sipër. Para luftës ka qenë me 64 shtëpi, ndërsa sot jemi me 240 shtëpi dhe afro 13 biznese operojnë këtu. Biznese jo të mëdha, kryesisht për prodhimin e mobileve, dyerve, dritareve, servise të automjeteve dhe është shkolla fillore e ciklit të ulët deri në klasën e pestë”, thekson Gani Dobratiqi, banor i Lebanës . 

Para luftës fshatarët kryesisht merreshin me blegtori, ndërsa tani ka pak prej tyre.

“Është një fshat që banorët para luftës janë marrë me bujqësi, ndërsa pas luftës ka ra bujqësia sepse është një fshat që nuk ka mjaftueshëm tokë pjellore. Para luftës kryesisht kanë qenë të varur me blegtori, thuajse çdo familje kanë pasë prej 2 deri në 15 krerë lopë. Disa kanë pasur edhe dele e dhi disa familje, ndërsa tani ka rënë numri dukshëm për shkak të tokës pjellore dhe hapësirave. Janë dy apo tre fermerë, personalisht njëri jam unë me 20 krerë gjedhe dhe tokë 30 hektarë që punoj. I kemi 2 bletarë, janë 5 fermerë kultivues të perimeve dhe të gjithë jemi përfitues të subvencioneve nga Komuna e Prishtinës”, deklaron Dobratiqi.

Sipas Gani Dobratiqit, nuk ka vit që në këtë fshat nuk ndërtohen deri në pesë shtëpi të reja.

“Nuk ka vit që në fshatin Lebanë nuk ndërtohet 4-5 shtëpi të reja. Vijnë nga Podujeva, nga komuna e Prishtinës, vijnë nga zonat e Gollakut. Nga Terrnava, Batllava, pra fshatrat përreth që i kemi. Është një fshat i qetë pa telashe. Ka investime nga komuna. Infrastruktura është pothuajse në përfundim e sipër, mbetet të investohet edhe në ndriçim. E kemi nevojë edhe për shkollë”, thekson ai.

Disa shtëpi të këtij fshatit banohen edhe nga serbët.

“Ka qenë fshat me 64 shtëpi, 34 kanë qenë serbë, 30 shqiptarë. Ndërsa tash janë diku  10-12 shtëpi serbë dhe pjesa tjetër jemi gjithë shqiptarë. Serbët i kanë shitë pronat e tyre pas luftës me vullnet të tyre, askush s’i ka penguar, edhe këta që janë këtu i punojnë pronat e tyre dhe nuk kanë asnjë problem sepse ne jemi dy lagje. Lebana ndahet në dy lagje. E epërme dhe e poshtme. E epërmja është me familje rezidente që jemi ne si Dobratiq”, tregon Dobratiqi.

E rritja e numrit të shtëpive ka bërë që fshati të ketë nevojë edhe për infrastrukturë të re.

“Është rritë konsumi si në ujitje për shkak të ngarkesës. Gypi kryesor ka qenë për 64 shtëpi ndërsa tani është rritur konsumi i ujit. Është rritur konsumi edhe i energjisë elektrike, disa lagje kanë probleme me energji elektrike që disa ditë. Në disa vende kanë intervenuar KEDS-i, por ka lagje që kanë ende probleme. Është vend afër qytetit dhe kanë gjetur investimi më afër qytetit. Prishtinën e kemi 10 kilometra larg, është vend strategjik, lidhet me magjistralen Prishtinë-Podujevë. Numri i nxënësve është i ulët. Me qenë shkolla e re do të vinin këtu. Prindërit po paguajnë vetë kombin. Nuk ka hapësirë dhe nuk është investim në shkollë. Të gjithë po ikin në një pjesë ku shkollat janë më të mira”, thekson ai.

Drobratiqi thotë se së shpejti banorët do të bëjnë një kërkesë për krijimin e shkollës së re të fshatit.