SOT

“Kurrizi”, ikona e Prishtinës në pritje të investimeve

Ikona e qytetit të Prishtinës – “Kurrizi”, i cili u ndërtua në vitet ’80, është ende një vendtakim për të rinjtë e kryeqytetit. Mirëpo, edhe vend i vizituar nga shumë qytetarë të komunave të tjera, por edhe atraktiv për turistët. Detajet na i sjell Meridiana.

Dikur ishte vendi më i frekuentuar në kryeqytet e kafenetë e tij ishin vendtakim i shumë të rinjve.

Projekti i viteve ‘70 dhe ’80, që e ndan kompleksin në tri nivele.

Edhe pse sot vizitohet nga të gjitha grupmoshat, qytetarët që kishin kaluar ditët më të mira të rinisë në këto hapësira rikthejnë kujtime me nostalgji .

Afrim Behrami e kujton kohën kur është hapur “Kurrizi”.

Sipas tij, sot ka dallime nga vitet ’80 kur u hap e deri tash.

Ora mbetet simbol i “Kurrizit’.

“Unë jetoj që nga vitet ’80 këtu dhe e mbaj mend shumë mirë hapjen. E kemi frekuentuar ne prishtinasit nga i gjithë qyteti. Ka qenë një vendtakim i të rinjve të Prishtinës. Dallimi është shumë i madh nga koha kur është hapur, tani përveç pamjes janë shtuar edhe dyqanet e rrobave dhe gjërave të tjera. E në atë kohë ka qenë jeta e të rinjve dhe kemi ardhur këtu vetëm për t’u argëtuar, ka pasur kafene sikurse sot klubet që janë, e nuk kemi si mos ta përmendim edhe ëmbëltoren e famshme ‘Elita’. Pak ose pothuajse fare ka mbetur nga ajo kohë. Unë e kujtoj me shumë nostalgji kafenenë ‘Kajro’, tash gjithçka është e re sikur të ndërtohet prej fillimit. Unë kam shumë nostalgji dhe mendoj që vetëm ne që e kemi përjetuar atë kohë dimë të tregojmë për ‘Kurrizin’, unë fëmijëve të mi mund t’ua tregoj, mirëpo nuk i bën përshtypje”, ka thënë Behrami.

Investimet e Komunës, sipas banorit, janë të pakta. Sipas tij, “Kurrizin” e mbajnë gjallë bizneset.

“Komuna ka investuar kohë pas kohe, unë mendoj që secili biznes në mënyrë vetjake ka investuar dhe është munduar që ta mbajë biznesin e vet, edhe pastërtinë mundohen që ta mbajnë vetëm afër bizneseve të tyre. Nuk është keq, mirëpo mund të jetë edhe më mirë”, ka thënë ai.

Më i bukur bëhet mbrëmjeve të verës, kur bashkatdhetarët vijnë për t’i kaluar pushimet e tyre në vendlindje.

Dhe e zgjedhin “Kurrizin” për t’u freskuar me pije të ftohta dhe me ushqime të shijshme dhe me traditë.

“Si ‘Kurriz’ është vend i frekuentuar dhe vend i mirë zakonisht verës kur po vijnë turistët, po mbushen kafenetë dhe po hijeshohet edhe më shumë. Edhe pse gjelbërimi mungon tash e sa kohë, nuk po kemi çfarë të bëjmë. Unë jetoj qe 12 vite këtu dhe në përgjithësi ka ndryshuar gjithçka. Kafenetë më të vjetra tash janë zëvendësuar me kafenetë që tani janë poshtë. Unë kam nostalgji, mirëpo mendoj që tani është shumë më mirë, sepse ka ndërtim të ri, ka shumë më shumë rini dhe më shumë gjallëri”, ka thënë një qytetar.

Edhe disa qytetarë të tjerë që kishin ardhur nga Suedia e vërejnë ndryshimin.

Ata janë vizitorë të “Kurrizit” qe 35 vjet dhe qebapët janë arsye e kësaj.

“Këtu ka gjithçka që të nevojitet, mirëpo nëse e krahasojmë me të kaluarën dhe tash ka shumë ndryshim, tash ka më shumë mallra, këtu vendi është i hijshëm, mirëpo dielli të rrok shumë. Unë vij nga Vushtrria këtu dhe vendi i parë që vizitoj sa herë që vij në “Kurriz” janë “Bosna” edhe mantiat”, ka thënë një tjetër qytetar.

“Unë vij kryesisht këtu për të blerë fustane, ka shumë zgjidhje dhe më ka mbetur si shprehi nga e kaluara. Sa herë që vij në pushim në Kosovë blej fustane për dasma por edhe për ahengje të mia familjare. Edhe për të shëtitur vij këtu, me pëlqen, në përgjithësi është shumë mirë. Ka 35 vjet që e frekuentoj këtë vend”, ka deklaruar një qyetar.

Ekzistonte një mit urban në Prishtinë që kompleksi duhej të zgjaste deri në lagjen “Kodra e Diellit”, por për shkak të trazirave të vitit 1981 planet u anuluan.

Në gjendje jo të mirë është tuneli i kurrizit.

Për të qysh në vitin 2021 janë dhënë premtime për regjenerim.

Në vitin 2022 është prezantuar projekti ideor i cili Prishtinës i kushtoi mbi 38 mijë euro.

Ndonëse në buxhetin e këtij viti janë ndarë 500 mijë euro, ende nuk ka nisur puna për ndryshim.

Në projekt parashihet që tuneli lartë të ketë figura dhe vizatime kurse poshtë të jetë i dedikuar një pjesë për kalimin e këmbësorëve, shtegun për biçikleta dhe një pjesë për kalimin e veturave.

Në këtë zonë do të ndërtohen edhe struktura statike që do të shfrytëzohen si shëtitore dhe bar kafe për qytetarët.