SOT

Kultivimi i mollëve, pemishtja 18-hektarëshe e Nazmi Blakajt

Delisheci i kuq, i artë, hajdaret, galla, moca e shumë të tjera janë llojet e mollëve të mbjella në 18 hektarët e Nazmi Blakajt.

“Trashëgim gjaku” thotë se e kishte mbjelljen e mollëve. Që nga vitet ‘30 e deri më tani ai ka arritur t’i kthejë 18 hektarë tokë në pemishte intensive. Për ndryshim nga pemët klasike që dikur kishte mbjellë, tani ai në 1 hektar mbjell rreth 4 mijë të tilla, raporton KOHA.

Të ëmbla e të tharta janë mollët, që veçse kanë filluar të piqen.

Për të mbrojtur mundin e tij nga fatkeqësitë natyrore, sipër tyre ka vendosur rrjetën e zezë.

Moti i mirë e ujitja e rregullt ka bërë që ato të kalojnë në fazën e pjekurisë. E para saj është faza e krasitjes së gjelbër.

Muaji shtator është hyrja në fazën e vjeljes, prej së cilës Blakaj thotë se nga një pemë mund të marrë rreth 30 kg mollë, e që pastaj i shet në tregun kosovar.

Këtë punë ai nuk e kryen i vetëm. Nazmiu thotë se, përveç ndihmës së fëmijëve, ai ka edhe 3 punëtorë të rregullt e numri i të cilëve rritet në kohën e vjeljes.

“Konkurrencë” mollëve iu bëjnë shalqinjtë e nektarinat që, sipas Blakajt, i sjellin shumë leverdi.

Ndonëse rritja e tyre kërkon durim e përkujdesje në çdo minutë, Blakaj thotë se kjo punë sjellë përfitime dhe jo vetëm për të.