SOT

Kukulla të personalizuara nga grepi

Dëshira për të mbrojtur vajzën e saj, e ktheu te zanati i së ëmës. Besarta Sadiku tash e katër vjet është duke punuar lodra për vajzën e saj, Ninë.

Ajo me grep i ka personalizuar karakteret e preferuara të vajzës së saj, raporton KOHA.

Tani këtë punë është duke e bërë edhe për të tjerët. Sadiku në bazë të porosive që merr punon kukulla të personalizuara. Tregimi i veprave të saj që tani ekspozohen në rrjete sociale, nisi me shpërndarjen e lajmeve se lodrat kineze, të cilat gjenden edhe nëpër dyqane në Kosovë janë të rrezikshme për fëmijët.

Ky talent i është kthyer në burim financiar asaj. Thotë se i punon me shumë qejf dhe njëkohësisht ka kohë që t’i përkushtohet Ninës.

Materialet, sipas saj, duhet të jenë nga pambuku në mënyrë që të jenë më të buta për fëmijët.

Ndërkohë Nina e kalon ditën pranë nënës së saj dhe duke luajtur me këto kukulla të këndshme.

Ajo krijon një lloj pikniku me kukullat në dhomën e saj.

E përveç kukullave, Besarta kohët e fundit po punon edhe shalle të ndryshme dhe kapela për fëmijë.

Puna me grep, sipas saj, veçse është harruar viteve të fundit. Megjithëkëtë, arti me grep është një traditë në vendin tonë që nuk duhet të shuhet dhe nuk pëlqehet nga të rinjtë. Përkundrazi punimi me grep sjell gjëra të bukura në këtë rast punimin e këtyre kukullave të personalizuara.