Dashuria për artin është ajo që i bënë bashkë këta fëmijë të moshave të ndryshme në kursin e vizatimit “Faton Kryeziu”.
E ora 18:00 shënon kohën kur ata fillojnë të spërkatin me ngjyrë talentin që i karakterizon, duke marrë instruksionet e para nga mësuesja Engji Jaha.
Sipas saj, nga ky kurs kanë dalë piktorë të njohur. Vetë ajo shërben si dëshmi për të tjerët.
“Ky kurs është themeluar në vitin 2007 nga piktori i njohur Faton Kryeziu prej nga edhe e mban emrin e tij. Nga ky kurs kanë dal shume student që sot vazhdojnë me krijimet e tyre e janë të njohur jo vetëm në Kosovë. E mira e tyre është që asnjëherë nuk iu kanë larguar artit. Unë kam qenë nxënëse dikur e pastaj mu ofrua kjo pozitë si asistente. Megjithatë unë pres që edhe dikush prej nxënësve të më bëhen koleg/e”, thotë Jaha.
Në qetësi të ulur në vende, disa me brushë e të tjerët me laps, po krijojnë diçka në fletat e tyre të veçanta.
13-vjeçarja, Stina Halili, e cila ka 3 vjet që vijon kursin, po rikrijon portretin e Van Ghog. Talentin për pikturë thotë se e vërejti qysh moti e inspirimin e gjen në artistë të tjerë.
Ka kohë që i ka thurur ëndrrat për të ardhmen, thotë Halili.
E Dea Berisha, që krahas këngës gjen kohë edhe për vizatimin thotë se veten e gjen te portretet e hijezuara me laps.
Sipas Jahës, teknikat që i përvetësojnë këtu janë të ndryshme. Si fillim vizatojnë me laps e pastaj dalin te ngjyrat. E krejt në fund pajisen me certifikata.
Artdashësja që shpreh ndjenjat në abstrakte e në përzierje të ngjyrave është Era Spahiu.
E krijimet e 11-vjeçares Alea Zabelit janë të shumta, në të ardhmen thotë se pret një ekspozitë personale.
Jaha që vitin e kaluar edhe me një ekspozitë të saj thotë se ndihet krenare për arritjet e nxënëseve.
Kursi “Faton Kryeziu” funksionon çdo ditë punë nga ora 18 deri në 20:00.