SOT

Krasitja si trajtim i sëmundjeve të hardhisë së rrushit

Rahoveci, ndryshe i njohur si “Qyteti i Rrushit”, është një nga rajonet kryesore të Kosovës për kultivimin e rrushit.

Në këtë zonë, janë të mbjella rreth 2.400 hektarë me hardhi rrushi, ndërsa në nivel vendi, sipërfaqja e mbjellë kalon shumën prej 3.000 hektarësh.

Fermeri Labinot Shulina thotë se arrin të prodhojë deri në 30.000 kilogramë rrush në vit, ndërsa fermerët e tjerë të Rahovecit sipas tij arrijnë të mbledhin gjithsej deri në 25 milionë kilogramë rrush.

Për të arritur sasi dhe cilësi të lartë të rrushit, është e nevojshme të kryhen disa trajtime dhe përkujdesje të vazhdueshme për hardhinë e rrushit gjatë vitit.

Si ekspert për mbrojtjen e bimëve, fermeri shpjegon rëndësinë e krasitjes dimërore të hardhisë, një proces kyç për rritjen e rendimentit dhe cilësisë së rrushit. 

“Tani jemi në një vresht, ku po demonstroj krasitjen e hardhisë së rrushit. Krasitja është e domosdoshme për ta pastruar hardhinë dhe për të ndikuar në rendimentin e saj. Në vreshtat e mia, nuk lejoj që një hardhi rrushi të prodhojë më shumë se 2 kilogramë, ndërkohë që në varietetet e tryezës, ku përdoret teknologjia më e avancuar dhe ka ujitje, një hardhi mund të arrijë deri në 5-7 kilogramë rrush. Megjithatë, kjo varet shumë nga kushtet për të prodhuar cilësi të lartë rrushi", thotë Shulina. 

“Po bëj krasitjen e hardhisë, pasi duhet të eliminohen deri në 98% të lastarëve, që gjatë vegjetacionit kanë kontribuar në formimin e materieve ushqyese për hardhinë përmes fotosintezës. Tani, po shihni shumë lastarë, por do t’i eliminoj dhe do të lë vetëm dy ose një për hardhi. Krasitja duhet bërë në kohë, sepse, nëse bëhet vonë, kur lëngjet e tokës janë në qarkullim, mineralet shpërdorohen dhe hardhia dobësohet. Pasi të kryhet krasitja, fillon procesi i lidhjes së lastarëve dhe fazat e tjera të zhvillimit”, shton ai. 

Në këtë rajon, klima është shumë e favorshme për zhvillimin e hardhisë, dhe nuk ka nevojë për shumë trajtime, por, siç thekson Shulina, është e rëndësishme që trajtimet për parandalimin e sëmundjeve të bëhen në kohë.

“Hardhia e rrushit ka sëmundje të ndryshme. Kohën e fundit është një problematikë që shfaqet jo vetëm në Kosovë, por edhe të tjera vende me sëmundje virusale dhe bakteriale. Këtë rast me institutin dhe ministrinë e bujqësisë dhe Komunën kem marr disa masa, duke rekomanduar që trajtimet të bëhen me kohë. Hardhia e rrushit ka disa sëmundje si vrullgu i hardhisë, plazma..., kalbëzimi i rrushit, hiri po ashtu shkakton probleme etj. Edhe në këtë hardhi që po e shohim, vërehet se hiri ka shkaktuar probleme dhe duhet t’i eliminojmë këto lastarë. Para se mu vjel rrushi sëmundja e ka atakuar këtë hardhi. Gjithçka duhet të ndërmerren masa me kohë”, thekson ai. 

Në Rahovec, mbi 3.000 fermerë marrin subvencione nga komuna, ndërsa 1.600 prej tyre janë të angazhuar në kultivimin e rrushit.

“Jem në fillim të vitit dhe fermerët tanë veç se kanë filluar me punët e tyre agroteknike në teren si krasitja, lëvrimi dhe përgatitjet për verë etj. Dhe ne e kem hapur një thirrje për vreshtarët, bëhet fjalë për furnizimin me preparate  me luftimin e insekteve në hardhinë e rrushit. Vitet e fundit në Rahovec fermerët po ballafaqohen me sëmundjet e hardhisë së rrushit, dhe ne mundohemi t’u dalim në ndihmë. Vitin e kaluar e kem shpërnda plehun artificial. Ne përveç përkrahjes direkte, fermerëve u kem ndihmuar edhe në infrastrukturë. 440 mijë euro i kem subvencione të destinuara për përfitimin e fermerëve të Komunës tonë. Mbi 1 milion i kem nda për investime kapitale, pjesën e subvencioneve e kem nda ne disa sektor dhe theksi është te vreshtaria dhe perimekultura”, deklaron Berat Duraku drejtor i Bujqësisë në Komunën e Rahovecit.  

Për vitin 2025, buxheti për sektorin e bujqësisë në Rahovec do të jetë 1.5 milion euro.