SOT

Kosova me gjithsej 74.298 emra, KFOR e Kuran ndër ta

A e keni menduar ndonjëherë se sa persona të tjerë ndajnë po të njëjtin emër me ju në Kosovë?

Si do të reagonte Policia Kufitare nëse në letërnjoftimin tuaj do të figuronte emri Gjel apo Pulë?

Epo tani nuk keni pse të hamendësoni më.

Agjencia e Statistikave në Kosovë ka lansuar së fundi një link ku ju mund të kërkoni emrin tuaj dhe të kuptoni se sa persona kanë të njëjtin emër dhe se në cilat komuna ai emër është i shtrirë më së shumti.

Edhe pse Kosova numëron rreth 1.7 milion banorë, emrat që përdoren janë shumë më pak në shifra. Sipas shefit të Divizionit të Sistemeve Informative në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, në vendin tonë ekzistojnë gjithsej 74. 298 emra.

Edhe pse janë pothuajse 80.000 emra, njëjtë si për gjininë femërorë e edhe për atë mashkullore ekziston një emër që përdoret më së shumti.

Nëse emri juaj është Fatime, atëherë ju jeni e 11.471-ta në Kosovë, e sa i përket emrit Bajram, janë edhe 11.366 të tjerë që ndajnë emrin tuaj.

E emërtimi i foshnjave në Kosovë ka kaluar nëpër periudha të ndryshme kohore duke iu përshtatur zhvillimeve historike, politike, kombëtare e shumë faktorëve të ndryshëm.

Nga Fatime dhe Bajram që kanë nga 11.000 përdorues të emrit, në Kosovë po rezulton të ketë edhe emra më të veçantë, që kur dëgjohen për herë të parë lënë përshtypje.

Një banor kosovar është i emërtuar Kfor, një tjetër Kuran e një mban emrin Arrestim.

Kreativiteti i kosovarëve nuk ndalon me kaq. Në qytetin e Vitisë një mashkull mban emrin Gjel e në Pejë 2 femra njihen me emrin Pula.

Sipas webfaqes, po rezulton se kosovarët janë të pasionuar pas emrave të kafshëve.

12 veta kanë emrin Dash, 1 gjarpër, 123 Bylbyl, 3472 Luan, 120 Shota e një Trëndafil jeton në Prishtinë.

Nuk është vetëm kërkimi i emrit përditësimi më i ri që faqja ka lansuar. Në të ju mund të gjeni edhe statistika të tjera rreth emrit tuaj, si p.sh. të shikoni se në cilin vit ai emër është përdorur më së shumti.

Nëse ju dëshironi të kërkoni emrin tuaj, gjithçka që duhet të bëni është të futeni në faqen zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Webfaqja pritet të vërë në funksion edhe përditësime të tjera që qytetarët do kenë qasje të lehtë dhe informative.