SOT

Koha kur në Deçan, sofra pa gështenja tregonte mungesë respekti për mysafirët

Deçani njihet për bukuritë natyrore si dhe bimët aromatike-mjekësore.

Por fshatrat e kësaj ane të Dukagjinit njihen edhe për gështenja.

Gështenja ishte burim financiar për shumë familje, sa që banorët kishin edhe dënime për ata që dëmtonin gështenjën.

“Gështenja përpara është ruajtur, për të ka pasur edhe ligje zakonore, të cilat e kanë ndalur rreptësishtë prerjen e gështenjës. Ky ligj është quajtur ‘sulle’ ose vendim kolektiv i fshatrave të ndryshëm. Në të kaluarën po të presësh një gështenjë në bazë të vendimit, kryerësi i veprës është dënuar me prerjen e dy ‘qiejve’, ndërsa mishin e tyre e kanë ngrenë e gjithë fshati dhe jo pronari i tyre”, ka thënë Selim Lokaj, njohës i historisë.

Ai tregon se servimi i gështenjave për mysafirët është traditë që është përcjellë deri më sot.

“Nëse dikush ka ardhur si mysafir në regjionin ku kultivohet gështenja dhe po t’ia ofrosh të gjitha në darkë, dhe jo gështenjat, ajo është konsideruar si mungesë e respektit. Gjithashtu, përpara me gështenja I kanë mbajtur familjet e tyre. Për kohën që po flasim ka pasur gështenja të mëdha, një trup ka dhënë 50-60 kilogramë. Por, fatkeqësisht sot janë të rralla ato gështenja pasi që ka ndikuar dora e njeriut dhe një sëmundje që ka shkaktuar që t’i dëmtojë gështenjat”, shpjegoi Lokaj.

Halil Hulaj është 72-vjeçar, por ende merret më grumbullimin dhe shitjen e gështenjave. Thotë se me këtë, por edhe me bagëti i mban 13 anëtarët e familjes.

“Ora 6 të mëngjesit zgjohem dhe dal për me mbledhë gështenja. Ndodh gjysmë ditë, por edhe krejt ditën mbledh gështenja. Deri në 50 ose 60 kilogram i grumbulloj në ditë. Këto i dërgoj në treg i shes. Unë i kap 7 lopë merrem me to, tokën gjithashtu e punoj ndërsa kohën e lirë mblidhi gështenja. Deri në 500-600 kilogramë mblidhi gështenja”, tha Hulaj, banor i fshatit Hulaj.

87-vjeçari Nezir Metaj çdo ditë pasi që kullot bagëtitë në pak kohë të lirë, mbledh gështenja.

“Kur mundem mbledh gështenja, arra, molla. Lopët zakonisht i ruaj afër gështenjave. Me pasur kohë i mbledh 10 kilogramë në ditë ose më pak, më herët thasë kam mbushur me gështenja tani nuk mundem aq. Përpara dy kilogramë i merrnim me 1 kilogram gështenjë po ashtu deri 2 mijë kilogramë gështenja i mbledhshim, por tani unë nuk mundem shkaku i moshës. Tani kush ka persona mbledhin kush nuk ka si unë nuk mbledhin”, shtoi Metaj, po ashtu banor i fshatit Hulaj.

Selim Lokaj tregon fshatrat të cilat janë të pasura me gështenja.

“Përpos aspekteve të tjera që është i njohur Deçani në mesin e tyre është edhe rritja, kultivimi I gështenjës. Sepse e kap një hapësirë të madhe sa i përket fshatrave duke filluar nga Strellci, Lbusha, Isniqi, qendra e Decanit, Hulaj, Pobergj, Vogsh fshati Sllubë dhe Drenoc. Shtrirja e gështenjës vazhdon në drejtim të Junikut e deri në Tropojë”, tregoi Lokaj.

Meqë është njohës i mirë i tyre, ai thotë se gështenjat e mëdha nuk janë më kualitative sesa ato mesatare.

“Sa më e madhe të jetë gështenja, kualiteti i saj është më i dobët, sa më mesatare gështenjat janë më kualitative. Qytetarët më shumë e shikojnë aspektin vizual sesa kualitetin. Unë po të dal të blej, asnjëherë nuk i kisha kërkuar gështenjat e mëdha, por ato mesataret, sepse sasia e tyre e sheqerit dhe përbërja e saj janë më kualitative”, shtoi Lokaj.

Periudha kur fillon vjelja e gështenjës është tetori dhe përfundon në muajin nëntor.