SOT

Klubi zviceran i shqiptarëve

Kanë bërë pothuajse tri orë fluturim nga Baseli i Zvicrës, për të mbërritur në atdhe.

Vizitën në Kosovë, futbollistët me prejardhje nga viset shqiptare të klubit “Dardania”, që është themeluar në Zvicër, e bënë për një arsye, që ta zhvillojnë një ndeshje miqësore me klubin e futbollit nga Lipjani.

Besim Bublica nga klubi “Dardania” thotë se kjo nuk është hera e parë që bashkë me lojtarët e tjerë të ekipit qëndrojnë në Kosovë për të organizuar ndeshje me ekipet vendore.

Bublica thekson se nuk e ka problem që të shënojë gol kundër ekipit të vendlindjes të tij, ngase, siç thotë, futbolli është lojë dhe në lojë nuk ka hatërmbetje.

Pasi aeroplani u aterroi të premten në Aeroportin e Prishtinës, futbollistët e klubit “Dardania” u vendosën në hotel dhe për ta, e shtuna, dita e ndeshjes me klubin e Lipjanit, mbërriti shpejt.

Bublica, bashkë me pjesëtarët e tjerë të skuadrës, e nisën ndeshjen me nxehjet e zakonshme, e më pas u bë edhe radhitja e tyre për fillim të lojës.

Rreth minutës së 20-të, fati ishte në anë të klubit nga Zvicra. Ishte lojtari Arben Gashi ai që e dha golin e parë, për rezultatin 1 me 0.

Ndeshja u përmbyll me barazim, 2 me 2. Por këtë rezultat, Bublica thotë se nuk e pati pritur, ngase synim e kishte fitoren.

Fadil Ahmeti, drejtor i veteranëve të futbollit në Lipjan, falënderoi ekipin mysafir për lojën dhe e shprehu gatishmërinë për t’i pritur për ndeshje miqësore edhe ekipet e tjera.

E për klubin Dardania nga Baseli, planet nuk përmbyllen me ndeshjen në Kosovë. Suksesin e synon edhe në Zvicër, vendin e themelimit.

Pavarësisht rezultatit që do ta kenë në Zvicër, në klub e shprehën dëshirën për rikthim në Kosovë, për ndeshje të tjera e për fitore.