SOT

Këshillimorja e parë në Prishtinë ndihmon pacientët në menaxhimin e sëmundjeve kronike

Përmes konsultave shëndetësore, infermierja Besarta Neziri-Kuleta informon pacientët për stilin e jetesës së shëndetshme, me qëllim parandalimin dhe menaxhimin e sëmundjeve kronike nga të cilat ata vuajnë.

Të gjithë pacientët që diagnostikohen nga mjeku familjar me sëmundje kronike jongjitëse referohen në këtë dhomë këshilluese për vlerësime dhe udhëzime të mëtejme. 

Kjo është këshillimorja e parë e hapur në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, ku trajtohen rastet e diabetit, hipertensionit dhe astmës.

“Jemi shërbimi më i ri dhe jemi shërbim që merremi me edukimin dhe promovimin shëndetësor për sëmundje jo ngjitëse. Diabet, hipertension dhe astma. Kemi filluar të kemi pacientë. Pacienti që vjen këtu referohet nga doktori, varësisht prej gjendjes referohen këtu dhe e marrim pacientin. I matim parametrat, peshën, gjatësinë, diabetin, tensionin dhe japim këshilla në lidhje me sëmundjen me i vetëdijesua ata. Këshillat janë rreth mënyrës së stilit të jetesës, ushqimit, aktiviteti fizik, sa më pak sheqer e brumëra varësisht nga shkalla e rrezikshmërisë. Ne e thërrasim në rikontrollë”, deklaron Neziri-Kuleta.

Mjekja familjare në QKMF, Albana Morina, thekson rëndësinë e këtij shërbimi në menaxhimin më të mirë të sëmundjeve kronike dhe uljen e rrezikut për komplikime kardiovaskulare.

“Fillimisht për zbatimin e punës në këtë këshillimore është dashur të ngritën kapacitet. Fillimisht pacienti lajmërohet te mjeku familjar dje në bazë të parametrave dhe në bazë të kësaj tabele atëherë e vlerëson sa është shkalla e rrezikshmërisë për sëmundje kardiovaskulare. Infermierja në këshillimore i vazhdon këshillat për pacientin se si duhet të veprojë dhe të përcjellë zvogëlimin e rrezikut për sëmundje kardiovaskulare. Pra kjo është këshillimore e ka për detyrë të informojë më në detaje që të jenë pacientët më të vëmendshëm”, thekson Morina

Gjendja e pacientit përcillet në mënyrë të vazhdueshme përmes kartonëve ku ata regjistrojnë matjet ditore të sheqerit dhe tensionit.

“Janë të udhëzuar në udhëzime administrative ku thuhet se çdo institucion duhet të këtë këshillimore për t’i vetëdijesuar qytetarët. Me ndryshim të jetesës mund të parandalohet një sëmundje.. Edukimi dhe këshillimi është detyrë e secilit profesionit por në mënyrë të përcjellët më në detaje dhe në vazhdimësi ndihmon kjo këshillimore”, shton Morina.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, thekson rëndësinë e këtyre shërbimeve, veçanërisht në kohën kur sëmundjet jongjitëse po bëhen gjithnjë e më të zakonshme.

“Në botë është promovuar dominimi i sëmundjeve jo ngjitëse dhe këto janë bë problem sidomos te të moshuarit. Ndaj këtyre problematikave përveç kontrollove mjekësore duhet të bëhet edhe vet menaxhimi. Roli i pacientit për menaxhimin e sëmundjes së vet është shumë i madh. Për këtë duhet të marrin këshilla të vazhdueshme për jetesën, aktivitetin fizik pra për të mos ngarkuar doktorin me detaje të vogla”, deklaron Sadiku.

Për funksionimin e kësaj këshillimoreje është trajnuar edhe stafi mjekësor.

“Në QKMF në dhomën për këshillim ekipet tona të trajnuara do të mbajnë evidentimin dhe krijojnë një databazë dhe për të parë se si po progreson a po mund ta mbajnë në kontroll dhe jo të përkeqësohet gjendja”, shton Sadiku.

Që nga dita e enjte, në këtë këshillimore janë kontrolluar 17 pacientë, ndërsa pritet që numri të rritet me promovimin e mëtejshëm të shërbimit.

Përveç kësaj qendre, është planifikuar hapja e këshillimoreve edhe në dy pika të tjera të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.