Të flasësh për ciklin e higjienën menstruale në shoqërinë kosovare vazhdon të konsiderohet si temë tabu.
Thyerjen po synon ta bëjë organizata EKOKOSËOMEN përmes diskutimeve me nxënëse.
Mungesa e shtjellimit të duhur në shkolla rreth ciklit menstrual e mitet që ekzistojnë rreth këtij procesi fiziologjik ndikojnë negativisht në psikologjinë e shumë nxënëseve.
Një diskutim i tillë sipas ligjërueses dhe psikologes Shkurtë Bajgora është shumë i nevojshëm, sidomos për vajzat e moshave 10-12 vjeç si mosha para ciklit të parë menstrual.
Bajgora thotë se me nxënëset po synohet kapërcimi i shumë barrierave dhe miteve të cilat ekzistojnë për higjienën menstruale.
Përpos ligjërimit, iniciativa e ECOKOSËOMEN përfshin edhe rregullimin e infrastrukturës së tualeteve në shkolla, ashtu që të shkojë për shtat me higjienën që duhet mbajtur.
E me infrastrukturë të tillë është rregulluar shkolla fillore ‘’Xhemail Mustafa’’ në Prishtinë, si shkolla e parë ku do të testohet ky projekt.
Drejtoresha e kësaj shkolle Vjollca Jupolli thotë se ruajtja e higjienës personale është shumë e rëndësishme, për çka duhet të punohet edhe më shumë në zbatimin e kurikulës mësimore për tema si këto.
Megjithatë, qëllimi kryesor i këtij projekti qëndron tek avokimi në institucione qeveritare për heqjen e TVSH-së për pecetat higjienike.
Për të thyer heshtjen rreth menaxhimit të higjienës menstruale, në tërë botën, më 28 maj festohet Dita e Higjienës Menstruale.