Në qytetin e Ferizajt njihet si “Qaush këpucëtari”.
Ferat Topalli, qysh i vogël e mori zanatin e këpucëtarit dhe tash e 40 vjet e bën këtë punë.
Më shumë se gjysmën e ditës e kalon në lokalin e tij, në qendër të Ferizajt, duke riparuar këpucë nga më të ndryshmet.
Përveç punës, atë e veçon edhe plisi, të cilin nuk e heq nga koka qe 20 vjet.
Në të njëjtin zanat, 68-vjeçari ka punuar për 6 vjet edhe në Zvicër.
“Si i vogël kam nisur të punoj si këpucëtar në Shkup, ku kam marrë edhe zanatin, te kushëriri im i ndjerë, Sakip Topalli. Në fillim kemi nisur të punojmë me papuçe e pastaj me këpucë. Prej moshës 15-vjeçare e kam këtë zanat. Kem punuar shumë në Shkup e pastaj kam ardhur në Kosovë. 6 vjet kam punuar edhe në Zvicër në këtë zanat. Në këtë zanat jam qe 40 vjet. Më shumë se 20 vjet plisin e kam vendosur. Plisi është një shenjë trashëgimie e jona. Më shumë e vendos kur merrem me sport. Por edhe gjatë punës jam me plis, kur të vijnë myshterinjtë thonë sa mirë që je me plis”, thotë Topalli.
Edhe pse ka rënë numri i të interesuarve për riparimin e këpucëve, Topalli shprehet i kënaqur me punën që bën. Thotë se myshterinjtë, të cilët i ka të rregullt, e presin vetëm atë që t’ua rregullojë këpucët e dëmtuara.
Fitimet mund të mos jenë aq të mira, por ai ndihet i kënaqur nga të ardhurat mujore aq sa i fiton.
“Përpara nuk ka pasur këpucë të këqija, kanë qenë lëkurë dhe më të shtrenjta. Dhe ka pasur më shumë punë, ndërsa sot janë të materialit më të dobët dhe deri në 5 euro ia marrim për rregullimin e këpucëve. Më herët ka qenë më vështirë rregullimi i këpucëve dhe ka pasur punë më shumë. Tash ka rënë puna shumë, por më të moshuarit vijnë e i rregullojnë këpucët, ndërsa rinia jo, sepse nuk duan që t’i rregullojnë këpucët te këpucëtarët. Myshterinjtë janë të kënaqur shumë me mua, edhe unë me ta. Ndodh që deri në 4 ditë më presin vetëm t’ua rregulloj këpucët”, tregon Topalli.
Ai i punon të gjitha llojet e këpucëve. Tregon se zanatin po ua trashëgon edhe fëmijëve të tij.
“Të gjitha llojet e këpucëve, çantave, patikave e të tjera i punoj. Nuk bëj shumë t’i punoj, i kryej për 15 minuta. Edhe fëmijët e mi janë në të njëjtin profesion, besoj të vazhdojnë në zanatin tim. Trashëgimi të lësh për fëmijë është mirë. Zanati nuk është i keq, pa bukë nuk të lë. Nuk do të thotë që të kesh të ardhura shumë, por kryesorja të mos ia zgjasësh dorën dikujt”, thekson Topalli.
Topalli nuk është një këpucëtar i zakonshëm, atë e veçon edhe dëshira për t’i prekur majat e maleve në vend e botë. Kilimanxharo është mali më i lartë në Afrikë, të cilin e ka shkelur ai. Ndërsa në Kosovë, thotë se nuk ka majë të lartë, në të cilën nuk është ngjitur.
“Në vitin 2010, e kam pushtuar majën më të lartë të Kilimanxharos, rreth 6 mijë metra lartësi. Për 4 ditë e 4 net e kem pushtuar atë majë. Në atë kohë kam qenë 53-vjeçar. Vështirësi ka pasur, por ia kemi dalë, kemi qenë 7 persona dhe i pari kam qenë unë nga Kosova. Në Kosovë nuk ka majë që nuk kam pushtuar”, deklaron Topalli.
Zanati i këpucëtarit dhe ngjitja në male, për Feratin, janë të pandashme. Secila prej tyre ka rëndësinë e vet, thotë Ferat Topalli, i cili përkundër moshës, aktivitetet nuk i ndal asnjë çast.