Është zëri i të gjitha ndodhive në rajonin e Ferizajt, e madje emri i tij e bën edhe më interesant personalitetin e tij.
“Kanuni i Lekë Dukagjinit” dikur përcaktonte e ndante rregull mes shqiptarëve.
E tani Policia e Kosovës në mesin e saj ka Kanunin e vet, policin i cili ka për detyrë të informojë qytetarët për rend e ligj.
Kanuni ka vite që është pjesë e Policisë së Kosovës dhe thotë se gëzon respekt të jashtëzakonshëm pikërisht për shkak të emrit që ka.
Qëkur ishte i ri në moshë, dëshira për të shkruar ekzistonte, e ndër vite ajo edhe iu shtua.
Ai madje edhe gjatë operacioneve të policisë nganjëherë ndante pak qaste për të shkruar ca rreshta, e që tani janë pjesë të librit të tij të parë.
“Lëmsh kujtimesh e përjetimesh”, është libri i parë i Kanun Veselit i mbushur me poezi emocionale të dedikuara miqve të tij.
E pjesë e krenarisë për Kanunin janë edhe ish-mësuesit e tij, të cilët po ashtu e kanë analizuar edhe krijimtarinë e parë të ish-nxënësit të tyre.
Enver Zhinipotoku thotë se Kanuni është rast unik se si jetën e ka ndarë mes profesionalizmit në rend e ligj dhe pasionit tjetër për shkrim.
Libri i policit tani është i qasshëm për lexuesit dhe mund të gjendet në bibliotekën e Ferizajt, e që së shpejti do të shpërndahet edhe në të tjerat.