Me rreth 500 dollapë është pajisur shkolla “Asim Vokshi”, në kryeqytet. Tanimë nxënësit e ciklit të ulët të kësaj shkolle nuk do të kenë pse të bartin çanta të rënda me libra pasi ato mund t’i lënë në shkollë në dollapin e tyre të personalizuar me ngjyra. Nxënësit u shprehën të lumtur për sjelljen e dollapëve në shkollë, duke theksuar nevojën e kamotshme që kanë pasur për ta. Kurse Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ka njoftuar se ka shpërndarë edhe 5600 dollapë për nxënësit e nëntë shkollave fillore në qytet
Pas përfundimit të detyrave të klasës, Sibora Krasniqi, nuk ka nevojë të fusë të gjithë librat në çantë. Tani ajo dhe shokët dhe shoqet e saj të klasës kanë dollapët e tyre të personalizuar në shkollë.
Shkolla "Asim Vokshi" në kryeqytet është pajisur së fundi me 456 dollapë të rinj për nxënës.
Dollapët shumëngjyrësh janë në dispozicion për nxënësit e ciklit të ulët.
Për këtë, Sibora, nxënëse e klasës së pestë, shprehet e lumtur dhe falënderuese.
“Dollapët që na kanë ardhur në shkollë, mua po më pëlqejnë shumë sidomos kur po e mendoj që tani kemi një hapësirë të veçantë për libra. Po e kemi problem më shumë me çanta sepse librat janë të rëndë. Ngjyra ime e preferuar e dollapit është e kuqe. Tash i kemi dollapët dhe nuk mundemi t’i harrojmë librat. Tani i kemi nga pesë orë mësimore dhe për shembull libri i gjuhës shqipe ka pothuajse 200 faqe dhe mua po më vjen shumë rëndë për ta bartur çantën ”, thotë ajo.
Shoku i Siborës, Nderim Abdullahu, thotë se shpesh ka pasur dhimbje shpine për shkak të peshës së rëndë të çantës.
“Mua po më pëlqejnë shumë dollapët. Ne kemi pasur shumë nevojë për ta edhe më herët. Jemi në klasën e pestë këtë vit dhe librat janë më të rëndë sesa në klasat e mëhershme. Unë jam shumë mirënjohës dhe falënderues për sjelljen e dollapëve. Kas pasur raste kur kam pasur dhimbje të shpinës kur çdo ditë e kam bartur çantën, mirëpo falë prindërve të mijë ka një kohë që nuk e barti. Ngjyra ime e preferuar e dollapit është ngjyra e gjelbër, unë kam dëshirë të fus në të disa lapsa, ngjyra e libra”, thekson ai.
Sjelljen e dollapëve e kanë mirëpritur edhe përfaqësuesit e shkollës. Psikologia e shkollës, Tringa
Visoka, thotë se këta dollapë kanë lehtësuar ngarkesën e krahëve të nxënësve.
“Projekti ka filluar rishtazi dhe nuk ka marr kohë shumë deri në implementimin e tij. Si në shumë shkolla të Prishtinës, edhe shkolla jonë ka përfituar prej këtij projekti. Drejtoresha e Arsimit Jehona Lushkau ka bërë analizën se cilat shkolla kanë më shumë nevojë. Në shkollën ‘Asim Vokshi’, janë vendosur rreth 456 dollapë. Ne i kemi mirëprit dollapët normalisht, për shkak se e kanë lehtësuar në masë të madhe pjesën e fëmijëve në mënyrë që ata të jenë më pak të ngarkuar dhe çantat të mos jenë më të stërngarkuara siç kanë qenë më herët”, tregon ajo.
Visoka thotë se ngarkesa fizike mbi supet e fëmijëve ka pasur gjithashtu ndikim në aspektin psikologjik të tyre.
“Mbi të gjitha vetë fakti i ardhjes së dollapëve në shkollë dhe ngjyrave të tyre, janë shumë atraktiv për t’i parë, ky element ka shumë ndikim në psikologjinë e fëmijëve. Fëmijët tash mund të themi që përveç që janë fizikisht me pak të ngarkuar sepse gjysmën e mjeteve shkollore i lënë në shkollë, kjo ka ndikuar edhe psikikisht të jenë më të lehtësuar, sepse e dinë që i kanë librat në shkollë edhe në rast se i harrojnë librat në shkollë, pra nuk kanë stres më ”, deklaron ajo.
Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ka njoftuar se ka shpërndarë edhe 5600 dollapë të tjerë për nxënësit e nëntë shkollave fillore në kryeqytet.