Dikur kishin më shumë zgjidhje për vendin ku donin ta pinin kafenë e të kalonin kohë me shokët e tyre.
Por në ditët e sotme të pakta janë vendet ku pensionistët mund të bëhen bashkë me njëri-tjetrin.
Hajrullah Shillova që nga viti 1996 është në pension, e që atëherë e zakonshme për të është bërë që për çdo ditë ta vizitojë kafenenë “Mediteran” në kryeqytet, e që kryesisht klientët i takojnë moshës së vjetër.
Ai thotë se rutinën e njëjtë e ka pothuajse për çdo ditë, e atë pak pension që e merr e shpenzon në këtë vend.
Ka kaluar kohë e gjatë qëkur edhe ish-profesori Hajdar Rrecaj është në pension.
Që nga ajo kohë, ai e ka zgjeruar shoqërinë e tij, pikërisht përmes vendit ku çdo ditë e viziton.
Ai tregon se vazhdimisht flasin me njëri-tjetrin përmes telefonit, nga ku edhe e caktojnë orarin e radhës për t’u bërë bashkë për kafe.
Përveç hapësirës së jashtme, ata po ashtu mund ta shfrytëzojnë një pjesë të mirë të kohës edhe brenda saj, e cila kryesisht është e dedikuar për t’u argëtuar.
Shumica prej pensionistëve preferojnë lojën e shahut, e që vazhdimisht shoqërohet me shaka mes tyre.
Njëri ndër lojtarët e zakonshëm është edhe Bislim Ademi, i cili thotë se kjo hapësirë është e vetmja që u ka mbetur për ta vizituar.
Mes bisedës po ashtu përmend pensionet, që, sipas tij, janë tejet të vogla e që nganjëherë nuk u mjaftojnë as për t’u takuar me shokët e tij.
Pensionistët thonë se kanë nevojë për më shumë vende ku mund të bëhen bashkë me moshatarët e tyre dhe se institucionet përkatëse duhet kontribuuar më shumë në këtë kategori për t’ua plotësuar kërkesat e tyre.