SOT

Jezerci nga oda në vila, si një atraksion turistik

Pak minuta nga qyteti i muraleve, është fshati Jezerc. Vend ky që njihet për mikpritjen e mysafirëve. Deri vonë ata janë pritur në odat e burrave. Por tashmë ky zakon ka filluar të lihet pas e vendin e tyre e kanë zënë vilat që lëshohen me qira e të cilat nuk janë të pakta në numër. Viteve të fundit banorët kanë filluar t’i kushtojnë më tepër rëndësi turizmit.

Mikpritëse është edhe natyra e këtij fshati. Por me qetësinë që mbizotëron nënkupton se aty nuk kanë mbetur edhe shumë banorë.

Pavarësisht që ka potencial t’i plotësojë të gjitha kërkesat e banorëve, banori Mehdi Hajdari thotë se shumica kanë zgjedhur jetën në qytetin e Ferizajt apo edhe rrugët e mërgimit.

Vikendet dhe festat mbushin fshatin piktoresk. Aty tashmë janë ndërtuar shtëpi pushimi. Disa prej tyre ofrojnë pishinë e xhakuzi.

E ka prej atyre personave që vilën e ndërtuar për vete tani e lëshojnë me qira.

Që sytë janë kthyer kah turizmi i Jezercit, sipas Blerim Buzhalës, pronar i vilës “Druri” e dëshmojnë kërkesat e shumta. Kjo ka nxitur atë që të nisë ndërtimin e dy vilave të tjera.

E banori Burim Ugzmajli, nga një shtëpi akomoduese e vogël, ka arritur të ndërtojë edhe dy të tjera. Thotë se nuk kanë munguar as vizitorët ndërkombëtarë.

Pavarësisht që odat e vjetra nuk janë më funksionale, restorantet e vilat e bukura dita-ditës po e shtojnë numrin e vizitorëve në Jezerc.