SOT

Jeta në anën veriore të Ibrit

Vetëm 3 kilometra larg qendrës së Mitrovicës ndodhet fshati Gushavc. Është ndër fshatrat e pakta me banorë shqiptarë edhe pse shtrihet në pjesën veriore të lumit Ibër.

Skender Sahiti është kryetar i Gushavcit. Jetën në këtë fshat e përshkruan me shumë dashuri. Këtë e tregon edhe fakti se nuk e braktisi vendlindjen asnjëherë pavarësisht mundësive që kishte të migronte si shumica e banorëve.

Jetesën, banorët e Gushavcit e sigurojnë në mënyra të ndryshme.

Shumë nga ta merren me bujqësi e blegtori, e as arsimimin nuk e kanë lënë anash asnjëherë.

Kuadro të profileve të ndryshme kanë dalë nga ky fshat.

Deri në vitin 2004, pozita e fshatit në pjesën veriore ka qenë sfidë në vete, rrëfen Sahiti.

Kjo ka ndikuar edhe në afërsinë që banorët e kanë me njëri-tjetrin.

Menderes Hajdari pasion e ka shartimin e pemëve. Këtë e ka shfrytëzuar në të mirë të fshatit.

Mbi 1.500 dru të egër i ka kthyer në dru frytdhënës me anë të shartimit në pyjet e oborret e bashkëfshatarëve.

Ky vit shkollor nxënësit e Gushavcit i ka gjetur me shkollë të re, iniciativë kjo e vetë banorëve.

Fatmir Zeka, arsimtar i historisë, tregon që i rëndësishëm është edhe informimi i brezave të rinj për të kaluarën e fshatit, e aspiratat për të ardhmen.

Shumë nga banorët kanë migruar jashtë Kosovës, kryesisht në Amerikë e vendet skandinave.