Lajmi se koronavirusi ka mbërritur në Kosovë ia ka ndërruar krejt rutinën Aulona Nuhiut. Për 12 vjet ajo për çdo ditë kishte mbajtur ushtrime e shfaqje të ndryshme në sallat e teatrit. Deri në gjysmën e muajit mars trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës kishte punë intensive. Por, pas premierës së fundit po këtë muaj, ushtrimet klasike të baletit ajo u detyrua që t’i vazhdonte në kushte shtëpie.
Baleti si art fizik kërkon që balerinët të jenë gjithnjë në formë e me kondicion.
Meqë ishte e izoluar gjatë fillimit të pandemisë, ajo tha se ishte e pamundur që t’i ikte ushqimit kalorik. Megjithëkëtë, ajo kujdesej që të ushtronte nga dy herë në ditë.
“Na ndryshoi e gjithë përditshmëria. Për fat unë kisha shtëpi dhe kisha hapësirë për të ushtruar ndryshe nga shumë kolegë të tjerë, të cilët janë përballur me vështirësi”.
Në total Nuhiu ka mbajtur 35 premiera, ku ka pasur role të ndryshme. Por ajo i ka veçuar disa prej tyre.
Premierën e fundit trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës e ka mbajtur më 3 dhjetor me shfaqjen e quajtur “Sisters”.
Puna e trupës nuk ndalet me kaq. Ajo thotë që 2021-a do të fillojë me prova për një premierë të re.
“Në muajin shkurt do ta kemi një premierë për të cilën besojmë se publiku do të jetë i kënaqur”.
Nuhiu shpreson që një vit i tillë siç ishte 2020-ta të mos përsëritet më kurrë, pasi që jeta e balerinit është gjithmonë aktive dhe nuk e duan pasivitetin.