SOT

Jarita, 17-vjeçarja që theu rekord në hedhjen e shtizës

Jarita Bislimi është nxënëse e shkollës së Mesme të Mjekësisë në Prishtinë, drejtim i cili për të kërkon mund e përkushtim. 

Por paralel me shkollimin, 17-vjeçarja ka një pasion të madh për sportin, të cilin e praktikonte që nga mosha 7-vjeçare, kur nisi të merrej me gjimnastikë.

Përveç kësaj, në dy vjetët e fundit ajo ka zgjeruar horizontet e saj sportive dhe, me iniciativën e trajnerit të saj, është fokusuar në hedhjen e shtizës, një disiplinë që e sfidon dhe e motivon.

“Jam gjimnaste tash e 7 vjet, ndërkaq në atletikë si atlete në hedhjen e shtizës ushtroj tash e 2 vjet. Në gjimnastikë kam pas gara të shumta, në të cilat kam marrë pjesë. Si garën më të rëndësishme për mua e cilësoj atë në Kampionatin Ballkanik, i cili është mbajtur në Turqi. E tash sytë i kam thuajse plotësisht kah atletika, ku edhe i kam vendosur dy rekorde në Kosovë”, thotë ajo. 

Mësimet në drejtimin e mjekësisë dhe atletika, në anën tjetër, për Jaritën thotë të jenë kombinimi ideal i asaj që ajo dëshiron ta bëjë. 

Nga të dyja ka arritur ta fitojë disiplinën e plotë, e cila po rezulton me suksese. 

“Tani jam në vitin e tretë të shkollës së mjekësisë dhe ta them të drejtën nuk është shumë e lehtë që t’i mbajë të dyja bashkë pasi që edhe mjekësia do një angazhim të jashtëzakonshëm, por e mira e të dyjave është se më kanë ndihmuar ta zhvilloi një rregull të veçantë në përditshmërinë time dhe të jem e përgjegjshme pavarësisht sfidave dhe të përkushtohem maksimalisht edhe në sport edhe në mjekësi”, tregon ajo.

Fiziku i formuar nga gjimnastika ka luajtur një rol kyç në suksesin e Jaritës në hedhjen e shtizës. Ajo ka përfituar forcën dhe disiplinën prej saj. 

Kjo ka ndihmuar që, për një periudhë të shkurtër kohore, Jarita të vendosë dy rekorde të reja në hedhjen e shtizës në Kosovë. 

“Kam pasur fatin që jam marrë me gjimnastikë qysh herët, sepse ma ka formësuar trupin dhe më ka ndihmuar edhe në gjendjen emocionale si sportiste, prandaj lehtësisht kam kaluar si atlete në hedhje shtize. Rekordin e parë e kam bërë në U18, i cili ka qenë 34.47 metra në Maqedoni, ndërkaq të dytin në Mitrovicë me 35.93 metra”, thekson ajo.

Atletja nga Prishtina inspirohet nga atletet e huaja. 

Historia frymëzuese e njërës prej tyre po e shtyn Jaritën ta kërkojë me këmbëngulje suksesin ndërkombëtar. 

Me Jaritën i synojmë rekordet jashtë kufijve të Kosovës, thotë trajneri Shkumbin Maqastena. 

“Jarita e ka një disiplinë të jashtëzakonshme, të cilën kisha dashur ta shoh te secili i ri që merret me sport. Në nivelin e saj si gjimnaste ka qenë shumë e avancuar, pastaj kur ajo kaloj në atletikë me insistimin tim, vërejta se shpejtësia e saj është tipike e një atleteje në hedhje të shtizës. Rekordet që i ka thyer për dy vjet kanë qenë tejet të mirëseardhura, por synimet tona janë jashtë Kosovës”, thekson ai.