Rripa beli, çanta krahu, valixhe, topa futbolli e kuleta qepen e riparohen në dyqanin e Izet Makollit, këpucëtarit nga Prishtina.
“Ardhmëria’’ është vendi ku ai i kalon 10 orë të përditshmërisë së tij duke përfunduar porositë e shumta që i vijnë.
Për më shumë se 28 vjet Makolli kryen këtë veprimtari, të cilën së pari e nisi si 14 vjeç bashkë më vëllain.
43 vjeçi shprehet i lumtur që me gjithë vështirësitë e kohës dhe sakrificave të familjes, ai edhe më tutje nuk e ka ndalur punën e tij.
Makolli tregon se profesioni që ai ushtron po shkon drejt zhdukjes ndërkohë që ka pak interesim nga gjeneratat e reja për tu marrë me zejtari.
Edhe pse profesion pothuajse në shuarje, Makolli thotë se mprehtësia për detajet e ka mbajtur të gjallë punën e tij, e cila është përcjellë me mirënjohje nga klientët.
“Nuk merrna veç me këpucë, kepi çanta, koferë, kuleta dhe topa, edhe qekjo tani ma ka mbajtë punën, se vijnë tani njerëz prej krejt Kosovës”, ka deklaruar Makolli.
“Po si një mjek që e din punën e vet, qashtu edhe ky, bile-bile ka raste kur mjeku thotë s’muj me bo kurrgjë, a Izeti s’thotë kurrë, ky gjithmonë e rregullon”, deklaron qytetari Ismet Llapjani.
E në 28 vjetët e tij të punës si këpucëtar, Makolli thotë se është përballur me kërkesa nga më të ndryshmet prej klientëve, sikurse rregullimi i çantave.
‘’Të gjesh forcën për të vazhduar tutje edhe pas çdo rrëzimi e sfide’’, Makolli e përshkruan punën prej këpucëtari derisa e mbyll ditën me jo shumë fitim e punë.