Ky projekt i fushës sportive nuk do të mbetet vetëm në letër, por pretendohet të jetësohet.
Kjo falë investitorit gjerman, Lutz Figen, i cili si një adhurues i madh i sportit, po synon të krijojë mundësi për futbollistët shqiptarë.
“Disa vite më parë, një mik i imi më rrëfeu së ka një djalë të vogël futbollist dhe më kërkoi financimin e tij. Unë jo vetëm që pranova të financoja djalin por edhe të gjithë ekipin ‘KF ONIX’ sepse doja që klubi të vazhdonte punën. Kur kam ardhur këtu, klubi nuk ishte në gjendje të mirë. Kishte mungesë pajisjesh, nuk kishte zhveshtore, dhe nga kjo filloi ideja që të krijojmë mundësi për sportistët kosovarë. Qëllimi ynë është t’i plotësojmë kushtet për sportistët e rinj që mungesa e tyre të mos u bëhet pengesë në karrierë”, ka deklaruar Lutz Figen.
Ai nuk e zgjodhi Kosovën rastësisht për misionin e tij. Përshtypje i bëri aftësia e të rinjve në futboll e në sportet e tjera.
“Sportistët në Kosovë kanë shumë kapacitet dhe kjo është një mundësi e mirë. Në Ligën Nacionale të Futbollit, ka shumë futbollistë të suksesshëm që janë nga Kosova e që luajnë për shtetet e tjera, andaj qëllimi ynë është të krijojmë kushte që futbollistët e rinj të krijojnë karrierën e tyre në Kosovë”, shtoi tutje ai.
Edhe pse investimin e ka filluar vullnetarisht, Figeni thotë se mbështetja e institucioneve është e nevojshme.
“Jemi në negociata me Ministrinë E Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Kjo është një mundësi e mirë për Kosovën, sepse kjo ishte diçka vullnetare, e dëshiruar nga unë. E di që nuk është e lehtë por shpresoj që organet kompetente këtu në Kosovë do të na përkrahin”, përfundoi Figen.
E për gjithë këtë investim, nismëtar ishte edhe Muhedin Ferati, ish-gjyqtar i futbollit, i cili kërkoi investimin që do të bëhet në Istog.
Tenisi, xhudo e basketbolli do të jenë sportet për të cilat do të krijohet hapësirë e veçantë sepse sipas Feratit, aftësia tek të rinjtë është prezent e edhe mundësitë do të krijohen.
Talenti nuk ishte e vetmja gjë që i la përshtypje investitorit gjerman.
Ai tha se mikpritja e kosovarëve i la mbresa dhe për këtë arsye Kosova do të jetë caku i vizitave të shpeshta të tij.