Është një nga fshatrat më të bukura që ka Kosova. Natyra mbresëlënëse ka bërë që për vite të tëra Brodi të jetë një nga destinacionet më të preferuara për kosovarët, por edhe për fqinjët e të huajt.
Një ambient të tillë e aq të pastër Brodi në Dragash nuk e kishte pasur kaherë. Deri para një viti, gjithçka që nuk u duhej banorëve, ata e hidhnin në lumin e fshatit, por një investim i vogël bëri që pamja e pastër tash e tutje të jetë për çdo ditë.
Me një minitransporter Brodi arriti të bëhej fshat ekologjik. Të gjitha mbeturinat që banorët i lënë në derën e shtëpisë, ato po bëhen bashkë në një pikë të caktuar.
Banorët thonë se fshati ka ndryshuar krejtësisht qëkur mbeturinat tashmë kanë një vend të caktuar ku hidhen.
Investim i vogël, por secili prej tyre mund të bëjë ndryshim të madh në Brod, andaj vendësit duan të vazhdohet me projekte të tilla.
Banorët thonë se janë krenarë me fshatin e tyre, i cili për çdo vit mirëpret mijëra turistë nga e gjithë bota, porse duan ta kenë një pasqyrë më të pastër dhe më të mirë kur ata të vijnë.
Tradita e kultura e larmishme në Brod janë një tjetër shije që turistët i tërheq shumë.
Banorët kërkojnë që edhe udhëheqësit e shtetit ta vizitojnë fshatin dhe të stimulojnë më shumë investime, sepse potenciali për zhvillimin e turizmit në këtë vend është tejet i lartë.