SOT

Interesim i madh për shkollën profesionale, hapet edhe një profil i ri

Ani pse duket si punëtori e ndonjë kompanie, është hapësire shkollore.

E punëtorët në këtë rast janë nxënësit e klasës së metalpunuesve në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeqovi”.

Të rinjtë e klasës së 11-të po e bëjnë punimin e dyerve metalike.

Etnik Alshiqi është pjesë e grupit punues, i cili tregon punët për të cilat ata angazhohen në këtë klasë.

“Ne zakonisht vijmë në mëngjes në ora 8, në fillim marrim udhëzime nga profesori pastaj vazhdojmë me punimin e metaleve duke përfshirë procese si prerja e pastaj saldimi”, ka thënë Alshiqi.

Ai thotë se shkolla profesionale ua mundëson të profesionalizohen në drejtime, andaj edhe orët janë efektive sepse kanë mundësi të punësohen sapo të kenë moshën e lejuar.

“Shkollat profesionale janë shumë të mira sepse ne mund të punojmë menjëherë pasi të përfundojmë shkollën. Ja vlen të ndjekësh shkollën profesionale sepse praktika është shumë e mirë dhe na ndihmon të aftësohemi më shumë”, shtoi ai.

Nga industria e rëndë, po kalojmë në një më të lehtë.

Dega e tekstilit është e mbushur me plot nxënës që synimin e kanë të angazhohen në botën e modës.

Si nxënës i kësaj klase, Erion Thaqi thotë se vazhdimi i biznesit familjar është arsyeja pse ai e zgjodhi këtë drejtim.

“Përfitimet janë që në të ardhmen mund të hapësh një biznes tëndin. Shkolla e mesme të ndihmon në hapat e parë. Arsyeja pse unë e kam zgjedhur këtë profesion është vazhdimi i biznesit familjar, e njoh punën edhe kam pasur dëshirë të profesionalizohem. Shkolla në rastin e nxënësve është shumë efektive sepse shkolla i mëson gjërat nga e para”, u shpreh Thaqi.

17-vjeçari thotë se kreativiteti është ajo që të dallon nga të tjerët. E për të dalë një krijim i bukur, sekreti i tij është rrezikimi në përdorimin e imagjinatës, të cilin e shkrin në materiale.

“Në lëmin e tekstilit duhet të përdorësh imagjinatën dhe atë ta kthesh në skicë e më pas në material. Vështirësi nuk kemi, I kemi të gjitha kushtet, kemi materiale, maqina. Gjërat I kemi të organizuara në mësim sepse pasi vijmë në mëngjes profesoresha na tregon punën që do ta bëjmë gjatë ditës, kemi bërë veshje për raste të veçanta apo për dëshirë”, pohoi ai.

Makina e qepjes është shoqëruesja e saj gjatë orëve të mësimit.

Verona Shala është kolegia e klasës së Erionit, e cila ka ambicie të mëdha për botën e modës ne vend.

Si një disenjatore e ardhshme, Shala tregon rekomandimet e saj për veshjet verore në të cilat theks i jep ngjyrave të ndezura.

Ajo tutje komenton trendin në Kosovë duke thënë se të rinjtë në vend rrezikojnë me veshje e kjo i bënë të veçantë.

“Gjatë verës rekomandohen fustanet e shkurta për vajza, ngjyra e kuqe është ngjyrë simbolizuese për gjallëri, pëlqehet shumë. Do ua rekomandoja disa detaje si lule të qepura të cilat do të simbolizonin verën. Po shoh se në Kosovë njerëzit janë kreative sepse vërhet se ndiqet moda. Vërehet se në trend janë rikthyer bluzat e shkurta, ngjyrat e lehta kryesisht e bardha e të tilla”, deklaroi Shala.

16-vjeçarja tregon për efektivitetin e orëve mësimorë, duke thënë se profesorët kujdesen që në detaje t’ua mësojnë gjërat që në të ardhmen të mos kenë problem në praktikimin e punës.

“Po, mësojmë shumë gjëra të reja, kemi shumë gjëra që asnjëherë nuk I kemi ditë, e që është pjesa e patronit, është shumë e thjeshtë por më parë nuk e kemi përdorë. Pjesa e qepjes, vendosja e perit janë disa të tjera detaje që më vonë I kemi mësuar. Do t’ua sygjeroja të tjerëvë të ndjekin këtë shkollë sidomos ata që dëshirojnë të vazhdojnë punën me zeje sepse ka shumë opsione për zgjedhje”, shtoi ajo.

Qendra e Kompetencës “Shtjefën Gjeqovi” është shkollë e cila, sipas zëvendësdrejtorit Ymridin Tërshnjaku, e plotëson numrin e nevojshëm të nxënësve që në afatin e parë të pranimeve. Kjo si shkak i kërkesës së madhe të nxënësve për të vazhduar shkollimin aty.

“Qendra ka tre drejtime, makinerinë, tekstilin dhe transportin. Si shkollë numëron rreth 1055 nxënës në këto drejtime. Janë 13 profile ku nxënësit janë të ndarë. Shkolla është profesionale dhe ka laboratorë në shërbim të nxënësve. Kemi bashkëpunim me mbi 120 kompani të cilat na mundësojnë që nxënësit ta kryejnë praktikën në ato kompani. Për këto vjetët e fundit, ne nuk kemi problem për regjistrim të nxënësve sepse ka shumë kërkesa”, tha Tërshnjaku.

Mundësia e punësimit qysh në vit të dytë është arsyeja kryesore pse numri i të interesuarve për t’iu bashkuar shkollës është i lartë. Për këtë arsye, Tërshnjaku thotë se qendrës i është shtuar edhe një profil i ri në të cilin menjëherë është bërë kyçja e nxënësve.

“Qendra e Kompetencës ka numër të mjaftueshëm të nxënësve, edhe secili nxënës e gjenë vendin e punës qysh në klasë së 11-të, për këtë arsye nxënësit janë të interesuar të përfundojnë praktikën profesionale. Shkolla këtë vit ka regjistruar nxënës në një profil të ri të quajtur mekatronik, pra ka shumë nxënës të interesuar edhe aty”, pohoi ai.

Qendra e Kompetencës “Shtjefën Gjeqovi” në Prishtinë është e vetmja qendër profesionale, e cila i aftëson të rinjtë në praktikimin e zejeve të ndryshme për të cilat edhe u mundëson të aftësohen e të punësohen menjëherë në tregun e punës.