Tash e 20 vjet, vikendet janë ditët e vetme që Isret Hashani nuk i hap dyert e librarisë. Jeta e 68-vjeçarit ka qenë çdoherë pranë librave, edhe në kohët më të vështira për familjen e tij. Kur flet për librat thotë se i kujtohet rinia e koha e kaluar me të atin para shkallëve të Teatrit Kombëtar, lokacioni i dikurshëm për shitjen e botimeve shqip. “Xha Limani e kanë quajtë babën, se kanë pasë respekt për të, e kështu i mbeti edhe emri”, rrëfen Hashani.
“Diku në vitet ‘70 baba nuk ka qenë me shëndet mirë, e shoqëria për me i ndihmu i japin libra për me shit. Kur baba e mori përsipër këtë punë e zgjodhi si lokacion shkallët para teatrit kombëtarë Na si fëmijë i kemi ndihmu babës. Më kujtohet tryeza që kemi shit libra, për cdo ditë është dashtë me hap e me i mbledh në fund. Krejt Kosova ka ble libra madje kanë ardhë edhe nga jashtë. Baba ka pas respekt të veçantë për libra e inteligjencën shqiptare, ka qenë mirënjohës për të gjithë ata që e kanë lexu librin, madje ka pas raste edhe kur ua ka falë ndonjë”, rrëfen Isreti.
Gjatë regjimit serb ata u detyruan të kalonin në Obiliq, me po të njëjtin emër, Xha Limani. Më pas, një e tillë është hapur edhe në Prishtinë.
Sipas Hashanit, libri dikur është lexuar më tepër. Thotë se romanet kanë qenë më të kërkuarat, për dallim që tash blihen pothuajse vetëm librat shkollorë.
Me nostalgji kujton edhe autorët më të shitur.
“ Në 92-tën e kemi hap në Obiliq e pas luftës është dashtë me ndërtu prap se na kanë rrënu krejt. Unë kom dasht me vazhdu me shit libra se kta e kom pas trashëgimi pavarësisht që nuk i kemi botu vet. Në atë kohë, romanet kanë qenë më të shiturat. Prej Pashko Vasës, Naim e Sami Frashërit e Ismail Kadare janë librat më të kërkuar”. Çdo risi që ka dal ne e kemi orfuar te të tjerët, para teatrit”.
Thotë se i mungojnë klientët e dikurshëm. Shton se të shumta kanë qenë edhe kritikat e librit e kjo ka nxitur që ata të lexohen.
Përveç librave shkollorë, çantave e mjeteve të tjera të mësimit, në rafte ruan edhe libra të botuar para 30 vjetëve.
“Dashamirët e librit kanë qenë adhurues të mëdhenj të kontakteve me njerëz. Ata kanë pasë respekt edhe për shitësit e librave sepse para se ta futnim një libër për shitje ne e kemi lexu”.
Hapja e librarive të shumta, por edhe avancimi i teknologjisë ka ndikuar dukshëm në interesimin për të lexuar. Sipas 68-vjeçarit, brenda ditës janë të paktë klientët. Mund të kalojnë orë të tëra e askush të mos hyjë brenda, thotë ai.
“Këtu në Obiliq ka shumë pak punë. Në librarinë që e kemi në Prishtinë është pak më ndryshe, sepse atje është shkolla afër dhe është rrugë më e frekuentuar nga nxënësit”.
E Xha Isreti thotë se nuk e ka në mendje t’i ndahet librit. Thotë se ai është shoqëruesi më i mirë edhe në ditë të ftohta e me pak diell.