Është e rrethuar me plot qen, e kështu e kalon shumicën e kohës.
Përkujdesja për këto kafshë tashmë është pjesë e jetës për Rona Spahiun, pronare e hotelit “Us for paws”.
Ajo rrëfen se e filloi nga pasioni për kafshë, e tashmë e ka punë të përditshme.
Spahiu është studente e veterinarisë dhe kjo ka ndikuar që ajo edhe të hapë hotelin për kafshë.
Ajo tregon se biznesin e ka hapur tash e 6 muaj dhe meqenëse e ka me qejf, nuk e konsideron si punë, e as nuk përton të përkujdeset për kafshët që vijnë.
Shëtitja, krehja, ushqimi e trajnimi janë disa nga shërbimet që kryhen në këtë hotel.
Qentë nuk janë të vetmit klientë të hotelit “Us for Paws”. Sipas pronares, edhe kafshët e tjera janë të mirëpritura.
Zogjtë e papagajtë tashmë janë të pranishëm për shitje.
Përveç kafshëve shtëpiake, hoteli i mban edhe kafshët endacake, ku ndër to është edhe qenushja Xhenna, e cila është gjetur në një park të Prishtinës e sulmuar nga njerëzit.
Me hotelin për kafshët, Spahiu ka edhe një lidhje më të veçantë.
Kjo sepse aty ishte vendtakimi me qenin e saj personal, Piper.
Ka vetëm dy muaj prej se e ka takuar Piperin, ku fillimisht ajo e konsideronte klient e tashmë pjesë të shtëpisë.
Sipas pronares, qeni është bërë pjesë e saj e pandashme, e që në momentin e parë të takimit kishte një kimi mes tyre.
Ndonëse është lumturi, mbajtja e kafshëve kërkon edhe përkushtim të madh e sidomos kur rrethohesh edhe me kafshë të tjera.
Meqenëse studion Veterinari, Spahiu ka në plan të hapë edhe ordinancën ku klientët t’i kenë të gjitha shërbimet në një vend.
Prishtina nuk është i vetmi lokacion i këtij hoteli, kafshët ajo i mban edhe në fshat e nëse është e nevojshme edhe në shtëpinë e saj.