Me përmirësimin e motit e me fillimin e pranverës fillon edhe krasitja e fidanëve.
Edhe punonjësit e “Hortikulturës” në Prishtinë këto ditë kanë qenë të zakonshëm nëpër rrugë e sheshet e Prishtinës.
Ata kanë filluar krasitjen e pemëve dekorative në kryeqytet e po përkujdesen që e gjithë sezoni i nxehtë të përcillet me shumëllojshmëri ngjyrash e gjelbërimi të zgjasë sa më shumë.
Me 203 punëtorë sa përbëhet “Hortikultura”, krasitja pritet të përfundojë deri në gjysmën e muajit të ardhshëm.
Të gjitha mbetjet nga krasitja përdoren për lulishten e kryeqytetit e edhe për zgjerimin e hapësirës së saj.
Nga “Hortikultura” thonë se do të mbjellin më shumë fidanë josezonalë në mënyrë që edhe sezoni i dimrit ta gjejë kryeqytetin e gjelbëruar.
E eksperti i pylltarisë, Qazim Kukalaj, tregon për të mirat e krasitjes me kohë dhe zhvillimin në pemë.
Por, sipas tij, krasitja që bëhet në kryeqytet nga “Hortikultura” është e ashpër dhe bëhet pa kritere.
Prishtina, që pranverën zyrtarisht e nisi me mbjellje të luleve, planifikon që sivjet përveç punëve të zakonshme do të bëjë edhe planifikim e projektim të hapësirave të gjelbra.