SOT

Historia e fotografisë dhe lulishtes me Gjeneralin Clark

24 marsi i vitit 1999 shënoi pikën e kthesës për historinë e qytetarëve të Kosovës.

Para 22 vjetësh u lëshuan raketat e para kundrejt Serbisë nga NATO-ja, ku në krye të këtij misioni ishte komandanti suprem, Wesley Clark. Clark dha urdhrin që për 78 ditë do të shoqëronte misionin e ashtuquajtur “Operacioni i Forcave Aleate”.

Në po atë vit Clark vizitoi Kosovën, ku një kujtim nga ajo ditë me nostalgji e ruan Idriz Makolli.

Makolli mban fotografinë që u shkrep në 1999-n, atëherë kur ai ishte vetëm 34 vjeç ndërsa kujton ditën kur u takua me gjeneralin e NATO-s.

Kopshtar me profesion ai ka zgjedhur një mënyrë interesante për të ruajtur dhe kujtuar kontributin e gjeneralit në dyqanin e tij.

Derisa mes emocionesh rrëfen për historinë e trishtueshme të jetës së tij para e gjatë luftës, si dhe ndjenjën e takimit me komandantin Clark.

“Gjatë kohës së luftës qëndronim nëpër fshatra, në pjesë ku kemi mundur të gjejmë strehim. Kanë qenë 78 ditë bombardime sipas të dhënave zyrtare nga Brukseli, neve ajo natë e parë na është dukur sa një vit i tërë duke mos e ditur nëse do të lindë dielli ose jo për shumë prej neve. Nëpër male ishim edhe me fëmijë, një kohë e ftohtë e buzë skamjes, pa rroba në trup e pa ushqim si secili shqiptar i asaj kohe. Por thënë të drejtën çdonjëri prej nesh kemi qenë në luftë, lufta nuk bëhet vetëm me armë në dorë, ne kemi luftuar për ekzistencë. Ajo ka qenë koha kur kam përjetuar emocionet më të mëdha...e kam pasur një vajzë tre vjeçare të cilën e kam mbuluar me batanije në mes të malit ku trupin e saj e ka mbuluar bora në mëngjes...ka qenë periudha më e vështirë e imja si Idriz Makolli...’’

“Kur jemi kthyer në Prishtinë, kam dalë në sheshin Nëna Terezë për të parë gjendjen e pasluftës. Prishtina në atë kohë është dukur si një fshat i madh dhe i shkatërruar tërësisht. Nga larg kam parë kordonin e ushtrisë të rrethuar me popullatë civile, kam pyetur vetën nëse në mesin e ushtarakëve gjendej edhe gjenerali Wesley Clark, jam afruar dhe kërkova nga përkthyesi nëse mund të më lejonte një takim me gjeneralin në shenjë falënderimi. Bisedova me Clark, u përshëndeta dhe e falënderova, e në atë moment edhe ai ka qenë i emocionuar...’’

Mes bukurisë së luleve, Makolli tash 57 vjeç kalon pjesën më të madhe të ditës.

Në lulishten e tij ai thotë se e gjen qetësinë e njëjtë sikurse në kohën kur forcat amerikane intervenuan në Kosovë.

Ndërsa lirinë e vendit ai e krahason me kopshtin e luleve që i kultivon.

“Një fjalë popullore thotë; njeriu që e do natyrën është e pamundur të mos i duaj edhe njerëzit. Kur i shoh lulet krejt bota më duket ndryshe, më e mirë më në paqe. Lulet duan qetësi, duan muzikë, duan të iu flasim në gjuhën e tyre, jeta mes lulesh të ndihmon në kuptimin e botës dhe ambientit ku je’’, deklaroi Makolli.

E, historia e tij me ish-komandantin e forcave të NATO-s nuk përfundon në 99-n. Luleshitësi nga fshati Marec i Prishtinës u takua sërish me të në qershor të 2019-s për të festuar 20-vjetorin e çlirimit. Ndonëse jeton me punën si shitës i luleve, pasurinë më të madhe në jetë thotë se e ka fotografinë me ushtarakun që dikur në shenjë fitoreje ia ngriti dorën atij para turmës së madhe në Prishtinë.

“Wesley Clark ka qenë me familjen e tij në Kosovë dhe po qëndronte në njërin prej hoteleve ku punon edhe djali im. E kam porositur djalin tim në bazë të mundësive të kontakton me gjeneralin për të më mundësuar një takim të dytë me të. Djali i ka treguar Clarkut për mua e menjëherë pasi ai del dhe më pret në takim, unë i them se ‘’më vjen mirë që po takohemi përsëri derisa ai nuk e dinte se kush jam unë. Pasi i tregova historinë, Clark më njoftoi me familjen e tij derisa u shpreh se gjesti im është gjest që tregon për mikpritjen dhe përkrahjen e popullit kosovar...’’

Për Makollin mbetet i paharruar momenti i dy takimeve me figurën kyç të ndërhyrjes së 24 marsit të 1999-s e mbetet me shpresë për një takim tjetër me ‘’mikun’’ e tij amerikan.