Përderisa shumë prej nesh festat kemi dëshirë t’i gëzojmë bashkërisht në rrethin familjar, për disa të tjerë shpeshherë kjo është e pamundur.
Nata e ndërrimit të moteve heronjtë e ekipeve të Qendrës së Mjekësisë Urgjente i gjen duke ofruar ndihmën e parë në terren, e madje shpeshherë pikërisht më 31 dhjetor ka më shumë kërkesa për shërbimin e tyre urgjente, për shkak të moskujdesit që kanë qytetarët me mjete piroteknike.
Artan Çollaku është mjek i urgjencës për tash e 7 vjet. Thotë se 3 vjetët e fundit nata e Vitit të Ri e gjeti atë në orarin e punës e me punë shumë sfiduese.
“Ka më shumë se 7 vjet që jam në këtë punë e cila është sfiduese, ngarkesa që kemi në këtë punë dallon nga shërbimet e tjera. Puna të cilën e bëjmë ne është paraspitalore që varet nga sekondat dhe minutat për të shpëtuar një jetë njeriu. Ne kemi orar të ndryshëm, është orar pune çdo ditë pa marrë parasysh festë apo vikend, sepse qytetarët duhet të kenë shërbim vazhdimisht. Dikujt i bie fati që në festa të ndryshme me qenë në orar të punës, unë në 3 vjet në natën e ndërrimit të moteve kam qenë kujdestar dhe kam punuar”, thotë ai.
Çollaku thotë se dëshira për të qenë pranë familjarëve nuk e mund atë të shpëtimit të jetëve, përderisa flet edhe për rastet më të vështira në të cilat ka intervenuar me ndihmë të parë, por jo gjithherë kanë përfunduar me sukses.
“Secili prej nesh ka qejf atë natë me qenë në rrethin familjar me të dashurit e vet, por puna dhe dëshira me qenë në ndihmë për të tjerët në ditë feste na e bën më të lehtë punën. Madje pikërisht në natën e 31 dhjetorit ka më së shumti lëndime dhe u bëj apel qytetarëve të kenë sa më shumë kujdes. E kam një rast që e kam përjetuar shumë rëndë, ka qenë një aksident ku në atë vend ka ndërruar jetë një foshnjë dhe e mbaj mend si një ngjarje të vështirë”, deklaron ai.
E Vedat Haradinaj në këtë qendër bën punë të dyfishtë, atë të infermierit dhe vozitësit, i cili që nga momenti i marrjes së telefonatës e deri të arrijë tek pacienti akumulon një ngarkesë të madhe emocionale.
“Në urgjencë jam qe 10 vjet, në të cilën kam pasur sa kënaqësi aq edhe vështirësi. Zakonisht në veturë jemi dy infermierë-vozitës dhe doktori, është punë që ka vështirësi por çdoherë ia dalim. Qytetarët na mirëkuptojmë në shumicën e herëve, sepse dihet tollovia që kemi në vendin tonë, në kuadër të kësaj pune shpesh kam pasur rastin të punoja, por edhe në punë kemi raste që bashkërisht festojmë e njëkohësisht të gatshëm për të ofruar ndihmë”, thotë Haradinaj.
Ai shton se qytetarët duhet të jenë edhe më të mirëkuptueshëm në trafik kurdo që shohin apo dëgjojnë alarmet e autoambulancës, e më e rëndësishmja kur kanë nevojë për ta të ofrojnë informatat sa më të sakta.
“Ka raste që në festa të ndryshme fëmijët na pyesin se a do të jesh në këtë festë apo do të mungosh. Ka raste që pyesin vazhdimisht por puna është e rëndësishme dhe nëse në ato festa jemi në orar pune e bëj me shumë qejf, e dua punën dhe e bëj me dëshirën më të madhe e sidomos kur kemi sukses dhe shpëtojmë jetë. Ne nganjëherë mund t’i shqetësojmë me zhurmën që krijojnë autoambulancat, por në përgjithësi ne mirëkuptojmë, në trafik është pak problematike, por qytetarët na e lehtësojnë”, thekson Haradinaj.
Edhe Nebih Demaj ka kohë që asnjë festë nuk ka qenë pranë familjarëve e të vegjlit e tij janë ata të cilët e kanë të vështirë të kuptojnë situatën e punës e që të atin e tyre e kërkojnë të jenë pranë tyre.
“Unë këtu punoj qysh nga viti 2018. Kemi pasë sfida të llojeve të ndryshme, por trafikun e kemi të stërngarkuar e kjo është çështja që na shqetëson shumë. Është sfidë më vete të mos jesh në festa pranë familjes, fëmijët e vegjël nuk na kuptojnë, shpesh më thërrasin se ku jam e pse nuk po shkoj, por ne jemi në shërbim të qytetarëve”, thekson ai.
Megjithatë për Demajn puna në terren dhe nëpër festa mbetet sfiduese, por “kur ke kushte të mira gjithçka është më e lehtë” thotë ai.
“Kushtet në vendin e punës i kemi shumë të mira, por kërkojmë nga qytetarët të jenë më të kujdesshëm e sidomos në festa me mjete piroteknike të kenë kujdes por gjithsesi ne jemi në shërbim të tyre”, deklaron ai.
Qendra e Mjekësisë Urgjente në 24 orë vazhdimisht pret telefonata nga qytetarët për çfarëdo problematike shëndetësore që ata kanë, por rastet në festa janë më të shpeshta, andaj edhe apeli nga ana e tyre për kujdes të shtuar nga fishekzjarrët dhe mjetet e tjera piroteknike nuk mungon, por në rast ndihme ata janë të gatshëm të ofrojnë ndihmën e tyre të parë.