Herkuli nga Vushtrria. 1.83 centimetra i gjatë e me peshë prej 135 kg.
Ky është Bujar Muli të cilin në vendlindje të gjithë e njohin.
Qysh në moshë të re, Bujari kishte një fizik dhe forcë që gjenerata e tij nuk e posedonte.
“Si fillim unë qysh herët kom fillu e kom pa që kom forcë më shumë sesa gjenerata ime, po fatkeqësisht, atëkohë nuk kemi pasur telefona njëjtë si kemi sot. Sikur të kisha pasur telefon me xhiru veten si fëmijë, tash e tregoj po është diçka që nuk besohet, kështu që nuk ia vlen edhe që prej atij momenti veçse kam fillu me këtë sport. Ka qenë mosha 13-vjeçare, kur kanë sjellë thasë me miell pas lufte edhe aty kam mundur me i bajt 5 thasë miell për disa metra kam ecë me thasë edhe aty e kam pa se çka dua të bëj në të ardhmen”, ka thënë Muli.
Proteinat janë ushqimi kryesor në shujtat e tij.
“Unë konsumoj vetëm mish. Mish të kuq, e kam për qefi. Nuk më kalon dita pa ngrënë mish. Kur bëhet fjalë me u përgatitë për sfida te rënda kësaj here për 12 dite i kam konsumu 20kg mish. 3 herë në ditë ha mish edhe krejt ata mish që e kom ngrënë kisha pritshmëri me shtu kg po unë hupsha, me siguri nga stresi”, ka shtuar ai.
Derisa ecën nëpër qytet, komentohet vazhdimisht.
Sporti që bën Bujari është mjaft i rrezikshëm, e kjo ka qenë një ndër arsyet që familja e tij kanë dashur t’ia ndalojnë këtë pasion.
“Babai ka pasur qejf që me shku unë ka sporti, por jo në këtë sport, për arsye që jo që nuk ka pasur qejf me e pasë djalin e fortë, por problemi ka qenë se ai ka pasur frikë mos po lëndohem dhe pastaj në Kosovë nuk ka mjete që munden me na shëru, pastaj sigurimi shëndetësor ai e ka menduar edhe më të keqen e të ardhmen nuk bon me e mendu shumë se atë e din tjetërkush e plot herë para se me hi në ndonjë sfidë, nana është tmerru e plot herë më ka thonë leje krejt, por kur e ki energjinë dhe e ki pasion e ki shumë problem”, ka thënë ai.
Bujari nuk përfshihet me ndeshje mes sportistësh e as me hedhjen e ndonjë topi. Ai po e sfidon veten në ngritje të peshave ekstreme. Ngritja e traktorit 2-tonësh përmes supeve, ndalja e një veture e mbajtja e 1 toni në shpinë janë disa nga gjërat që ai po e sfidon veten.
“Po një ndër sfidat më ekstreme ka qenë sfida me e ngritë traktorin 2 tonë. E kom ngrite vetëm pak po aty për aty i kom dëgju brinjët kur janë laku e kam pas hekurin shumë të trashë që e kom ngjit në traktor, po u pat laku edhe hekuri. Po ta mbajsha edhe 2-3 sekonda jam i sigurt që më kishin kërcitë brinjët e atë nuk e harroj kurrë. Sfida e dytë ka qenë kur e kom lidhë golfin me litar me krahë edhe aty jam kap në shkallë ai ka shllajfit unë kom hec. Ka qenë 36 gradë deri më pat pëlcit gjaku prej hunde dhe goje e mjeku me ka thonë mos e provo më. Po xhirimi nuk ka qenë i mirë dhe kom dashtë me e bo prapë sfidën por janë frikësu që po vdes. Sfida tjetër ka qenë kur i kom vendosë 1.300 kg në shpine. Ka sfida që kom ecë me kerr d.m.th. çdo sfidë e ka rrezikun e vet, unë e di që sa herë dëshiroj me bo një sfidë e di që mundet me përfundu me fatalitet”, ka shtuar ai.
Ndonëse babait të Bujarit nuk i pëlqente se çfarë sporti bënte i biri i tij, ai megjithatë, i propozoi që sfidat e tij t’i performonte para një publiku më zyrtar, pasi që Bujari këto sfida i realizonte vetëm për rrethin e ngushtë.
Kështu që ai vendosi të bëjë diçka që askush në botë nuk e kishte bërë më parë.
“Para disa dite kem hy për me thy rekordin botëror për librin e genisit si njeri më i forti që i mban 1531 kg me pjesën e përparme të trupit. Ne fillim e ceka që babait nuk i pëlqente me u marr unë me këtë sport po kur e pa bindjen time qe nuk hoqi dorë, ai u pajtua e më tha se ti po merr pjesë nëpër gara po nuk po fiton diploma e dokumente zyrtare se unë kisha qejf vetëm forcën me e tregu si i ri e me kohë dëshiroja me marr pjesë nëpër gara evropiane po nuk mundesha se nuk kisha sponsore e është dashur me bo rekorde prej vetes. Ky rekordi më i ri ke thasë në bark është i shpikur, rekordi me litar në bark është i shpikur e plotë të tjerë”, ka deklaruar ai.
Për perfomancën e tij në sallën e sporteve në Vushtrri, Bujarit i janë nevojitur fonde pasi që gjithçka duhej të ishte gati për jurinë e librit. Ai falënderon të gjithë ata që mundësuan eventin si nga përkrahja materiale gjithashtu edhe ata që e motivuan.
I forti i Vushtrrisë tregon se ai është gjithmonë i vetëdijshëm që sfidat e tij mund të përfundojnë me fatalitet.
“Më 12 qershor kam ardhur në Kosovë dhe kam filluar përgatitjet. Me 15 kem shkuar, por me u kthye nuk e ditsha a kthehem. E di që askush nuk më ka pa e ju kam afruar djalit të madh dhe e kom puthë e ne vesh i kom thonë “O fizikisht o jo fizikisht kam me qenë afër teje”, këta nuk e harroj kurrë edhe jam nisë, kam nisë edhe aty filloi”, ka thënë ai.
36-vjeçari që tash jeton në Zvicër e konsideron sfidën e fundit si një ndër më të vështirat që ka pasur ndonjë herë. Ai me pjesën e përparme të trupit, arriti për 5 sekonda të mbajë 32 thasë me cement. Të tërë 32 thasët peshuan 1531kg.
“Kur kem shkuar edhe e pash cementën, mos me të rrejtë ka qenë njëfarë ndjenje që nuk përshkruhet. Problemi kryesor këtu është që frikën e kem deri sa të afrohemi te peshat, pastaj kur të hyjmë nuk mendojmë çka ndodh. Frika mundet me qenë pasojat që mundem me i marr pas sfidës se për me vdekë, jo. Sfida filloj po kur filluan me mi vendos peshat filloi edhe dhimbja e trupit e aty ke njq ndjenje se çka po ndodhë e u afru një nga juria më tha Bujar le se e bon një herë tjetër se kemi kohë, e ajo fjalë më dha motiv e ju përgjigjja o rekord o i vdekur. Njerëzit kanë qarë. Kur kanë mbetur diku rreth 5 thasë të fundit kom mendu me e ndalu edhe me provu prap. Aty më erdhi ish-trajneri e ju tha vazhdoni se ai e dike çfarë kapaciteti kam edhe vazhduan me krejt thasët. 5 sekonda ke rekordi im edhe i kanë hjek menjeherë e mu është dashtë me qëndru shtritë e plot gjana nuk i mbaj në mend”, ka shtuar ai.
Kanë kaluar disa ditë që sfida është performuar dhe Bujari është në pritje të një përgjigjeje nga Guinness.
“Po besoj se nuk kanë arsye me më refuzu, por nëse veç ndodh besën e Zotit e kanë se herën tjetër kem me shku me 2 tonë e jo 1500kg. Sa herë që thonë se ka ndonjë gabim a diçka të tillë nga 500kg i kanë falas prej meje qe ko me i shtu si pesha. Le te shkon deri ne 3000kg”, ka thënë ai.
Pas një sfide të tillë, Bujarit nuk i nevojitet të pushojë me ditë të tëra. Për vetëm pak orë ai është në gjendje të ngrehë pesha të tjera.
“Po të tregoj drejt se më nevojitet kohë deri në mbrëmje, sepse e kam mësu trupin me dhimtë, kurse dikush tjetër po ti kishte këto dhimtë, në spital do kishte përfundu. Po besa atë ditë pata me e ngritë një rimorkio me sanë e me i bo dy rekorde brenda ditës por vëllai më ndaloi”, ka thënë ai.
Në planet e tij është mbajtja në ajër e një helikopteri për rreth 40 sekonda.