Dy herë në javë merr rrugë nga Peja për në Deçan për fëmijët, familjet e të cilëve janë në gjendje të vështirë ekonomike, kanë prindër të ndarë e të keqtrajtuar.
Flora Memia ka huazuar nga Qendra për Punë Sociale një zyrë në të cilën u jep mësim vullnetarisht këtyre fëmijëve.
Ka mbi 10 vjet që e bën këtë punë e pothuajse 7 muaj që të njëjtën po e praktikon edhe në Deçan.
Në zyrën e vogël të shndërruar në klasë, gjatë verës ka më pak fëmijë.
Gjatë vitit shkollor ajo thotë se përsërisin njësitë mësimore, kurse tash në pushime u ndihmon të lexojnë lekturat shkollore.
Sipas Memias, fëmijët janë të moshave të ndryshme, andaj shpesh i ndan në grupe.
Varësisht prej njohurive që kanë u dikton edhe çka të lexojnë.
E, ka pasur raste kur ata nuk dinin shkrim e lexim, thotë mësuesja.
“Fle rehat natën kur e di që kam gëzuar një fëmijë”, thotë Memia, kur përgjigjet në pyetjen se pse e bën këtë punë.
Sipas saj, edhe të vegjlit janë entuziastë për të mësuar gjëra të reja.
E në ditët kur nuk janë në disponim, Flora thotë se i angazhon në aktivitete e lojëra të ndryshme.
Më parë Memia thotë se ka shkuar në çdo shtëpi të këtyre fëmijëve, por rezultatet janë më të kënaqshme në klasën e veçantë.