SOT

Gruaja që po sfidon meshkujt në automobilizëm

Është 35-vjeçare dhe nënë e 4 fëmijëve. Kjo është Arjeta Rysha, gruaja, pjesë e autosporteve në Kosovë.

Tash e dy vjet, Arjeta është e dhënë pas garave dhe i pëlqen shpejtësia e konkurrenca, ndonëse pasionin për vozitjen e ka shprehur qysh 13-vjeçare.

Ajo për emisionin SOT e ka prezantuar veturën e saj të veçantë me të cilën merr pjesë në gara. Teksa flet me pasion për “dashurinë” e saj, Rysha i thekson veçantitë dhe merakun që ka për veturën dhe garat.

Garat automobilizëm në Kosovë gjithnjë e më shumë po futen në zemrat e femrave. Sipas Arjeta Ryshës, pa mbështetjen e familjes nuk do të ishte aty ku është sot, duke triumfuar.

35-vjeçarja njëherësh premtuese për një karrierë të suksesshme në botën e vozitjes, ka theksuar se shpejtësia duhet të përshtatet me kohën dhe vendin e duhur duke i respektuar shenjat e komunikacionit.

Sipas saj, jo në çdo kohë mund të garohet.

Ajo ka për synim që të arrijë rezultate sa më të mira dhe jo vetëm në rrafshin kombëtar. Në çdo garë përgatitet maksimalisht, me pretendime për vendin e parë.

Ndër të tjerash, ajo thekson se garat malore i ka më për qejfi dhe në këtë disiplinë e sheh të ardhmen e saj si garuese.

Automobilizmi është një prej sporteve më atraktive në vend dhe gratë me pjesëmarrje po e rrisin interesimin për të.

Veç Arjetës, Kosova në Braga do të përfaqësohet edhe nga Mimoza Jetullahu, Liridon Kalenderi, Gazmend Demolli, Valon Jaha, Faton Rama, Bardhyl Canolli e Selim Tahirsylaj.