Për shume vjet, Havushe Bunjaku është njohur për kultivimin e çaje me veti shëruese e tash, tregut ia shtoi edhe një produkt tjetër natyral.
Bunjaku thotë se ka mbi 5 vjet që po punon në lansimin e kësaj linje kozmetike të emëruar po ashtu “99 lule”.
Kremrat me përbërje bimore i ka renditur në bazë të specifikave të tyre e një kënd të veçantë e kishte ndarë për kremrat e fëmijëve.
Pas grumbullimit të bimëve e shndërrimit në vajra eterik Havushja thotë se faza e fundit është prodhimi i kremës.
Bimët që përbëjnë një krem dallojnë njëra prej tjetrës andaj edhe ndahen në ato që përdoren ditën, natën e në bazë të moshës.
Sipas Havushes, përveç rigjenerimit të lëkurës, parandalimit të rrudhave, kjo mund të përdoret edhe për shërimin e plagëve e shenjave në trup. E meqenëse është krejtësisht bimore, thotë se është e vërtetuar që mund të aplikohet edhe te foshnjat.
Në punëtorinë e re, ajo ftoi njerëz që e bënë të mundur ardhjen në treg të këtij produkti.
Caritasi zviceran, Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) e Komuna e Prishtinës ishin pjesëmarrësit kryesor në këtë ngjarje e njëherësh donatorë për blerjen e makinerive prodhuese.
Sandra Horina, drejtoreshë e ADA-s, thotë se ndihet shumë krenare që një fermere arriti të prijë e të shërbejë si një shembull për të tjerët. Ajo inkurajoj të gjithë të blejnë produktet e certifikuara të Havushes, thotë Horina.
Shndërrimi i pasionit në profesion, sipas Horinës, do të shërbejë si motiv për gratë e tjera.
Në të njëjtën kohë falënderoi edhe Komunën e Prishtinës për ndihmën e dhënë në sektorin e agrikulturës.
E Plator Gërdovci, nga Drejtoria e bujqësisë në Komunën e Prishtinës thotë se me këtë intensitet të punës Bunjaku mund të arrijë edhe të zgjerohet në tregje tjera.
Kamomili e shumë bimë të tjera, të gjitha organike janë pjesë përbërëse e kremrave të cilët përveç tregut vendor synojnë edhe atë ndërkombëtarë.