Dita Ndërkombëtare e Grave Rurale u shënua përmes një panairi në sheshin “Zahir Pajaziti”. Ai ka mbledhur disa prej fermerëve të suksesshme, të cilat patën mundësi t’i prezantojnë produktet e tyre e po ashtu edhe t’i shisnin
Dita Ndërkombëtare e Grave Rurale ka mbledhur disa nga gratë fermere më të suksesshme të vendit, të cilat pavarësisht sfidave, arritën të krijojnë biznese të tyre. Në panairin njëditor në Prishtinë, u ekspozuan produktet e përgatitura nga duart e tyre.
Hata Haxhiu ka udhëtuar nga Mitrovica për në kryeqytet. Me vete solli perime të konservuara e ushqime tradicionale. Shumicën prej tyre arrin t’i shesë në këto panaire dhe në rrjete sociale.
“Unë merrem me këtë punë, sepse më mirë shef në punën tënde, se sa punëtor i dikujt tjetër. Ia kam nisur biznesit me gatime tradicionale, por e kam edhe serrën, kam produkte bio, speca dhe i kultivoj vetë, i përpunoj e të gjitha i bëj vetë. Produktet i shes nëpër panaire, por edhe online në facebook, instagram e tiktok, të gjitha gratë i kemi të njëjta produktet, unë kam diçka ndoshta më ndryshe, kam petët e piteve që i gatuaj vetë, e turshitë të gjitha i bëjmë njëjtë”, thotë ajo.
Fatmirësisht familja nuk varet nga financat e fituara nga ajo, por nga shitja e tyre një pagë të mirë arrin ta fitojë në fund të muajit.
"Më ndihmon burri, por e gjithë familja më përkrahin në gatim, në turshi, e në serrë. Unë iu kisha thënë të gjitha grave, merruni me gjëra që na takojnë neve me përgatitjen e ushqimeve tradicionale dhe produkte turshi, sepse ia vlen. Biznesin e kam qe 3 vjet të regjistruar, një rrogë mujore po arrij ta nxjerr në shtëpinë time, edhe i bëj punët e shtëpisë, edhe fitoj të ardhura”, tregon Haxhiu.
Ka prej grave që pavarësisht se zotëronin ndonjë biznes, të mirat që morën nga natyra bënë të kalonin në punë bujqësore. Njëra prej tyre është Ardita Kastrati nga Peja, e cila tash e 15 vjet kultivon disa lloje të mjaltit.
"Vështirë ka qenë në fillim, sepse nuk e dinë se çfarë të pret e ardhmja, por mirë ia kam dalë, kam filluar para 15 viteve dhe po na ecën mirë, kemi 5 lloje të mjaltit të fushave të ndryshme që i dërgojmë bletët për kullosa, kemi kremra, gjithsej 16 produkte kemi nga bletët. Bletarinë kemi nisur për qejf që të kemi mjaltë cilësor për fëmijët dhe familjen, e duke parë që kërkesa është e madhe, rrethi i gjerë filloi të kërkojë, më pas e hapa si biznes, e kam pasur një biznes timin në Pejë, e mbylla atë dhe fillova të merren intensivisht me bletari”, thotë ajo.
Sipas saj, mjalti i vet është një nga më cilësorët në vend, pasi kultivohet në bjeshkë e andaj edhe çmimi i tyre është më i ngritur.
“Ia vlen shumë e sidomos gratë që jetojnë në fshatra mund t'i sigurojnë të ardhurat jo vetëm për vete, por edhe për familjen, është një biznes që mund t’ia dalin gratë, vajzat, po ashtu e gjithë familja. Bletët e mia kullotin në mbi 2600 metra lartësi mbidetare në vende të ndryshme, sepse po t’i lësh vetëm në një vend, nuk ka produkt të mirë, cilësia flet vetë, shesim edhe në shtëpi, aty vijnë dhe i kërkojnë, çmimi është 25 euro, mjalti i bjeshkës dhe i gështenjës, ndërsa i bagremit është 20 euro”, tregon Kastrati.
E për Miradije Hamitin nga Mitrovica, konservimi i perimeve për një masë më të gjerë filloi qysh para 8 vjetësh, kur ato pëlqeheshin nga familjarët, më pas filluan kërkesat edhe nga të tjerët.
"Sot kemi ardhur me produkte vendore, kemi ajvar, turshi, reçele, pestil, të gjitha nga pak. Që nga viti 2016 merrem me këtë aktivitet, ia fillova së pari për familje, e më pas duke e parë kërkesën e madhe, nisa si biznes i regjistruar. Kam faqe online, aty shes shumicën prej tyre, në pandemi kisha kërkesat më të mëdha e tani edhe jam pjesë e panaireve dhe tregjeve të ndryshme, ka shumë leverdi, unë një pagë të Kosovës arrij ta fitoj vetë", thotë Hamiti.
Ajo shton se ka fituar besimin edhe të mërgimtarëve, të cilët nuk nisen drejt shteteve të Evropës pa marrë produkte nga ajo. E për të ardhmen synon të themelojë një korporatë ku do të arrinte të punësonte edhe gra të tjera.
"Unë jam shumë e kënaqur, konsumatorët më lavdërojnë vazhdimisht, andaj edhe kam vullnet më shumë për të punuar, kemi edhe jashtë Kosovës që dërgojmë, mërgimtarët i kërkojnë shumë verës. Unë aktualisht e kam biznesin e vogël, por mendoj të zgjerohem më shumë dhe të punësoj gra të tjera”, tregon Hamiti.
Përmes këtij panairi, qytetarët patën mundësi të njiheshin nga afër me gratë fermere dhe produktet e tyre, të cilat ofroheshin me çmime simbolike.