SOT

Gjyshi me nipin 10-vjeçar nisin korrje-shirjet në Llap

Korrje-shirjet kanë filluar edhe në arat e Podujevës. E meqë duhen punë e përkushtim i madh, të gjithë anëtarët e familjes Sejdiu i janë përveshur punës.

Më i vogli, Dioni, 10-vjeçar, ka tash e 5 vjet që i ndihmon gjyshit me ngasjen e traktorit e të kombajnës.

Edhe pse i ri në moshë, shumicën e kohës së tij ia merr puna në arë.

Ndonëse me mësime qëndron mirë, Dioni në planet për të ardhmen e ka angazhimin në mbjelljen e tokës.

E ndryshe nga Dioni, gjyshi i tij, 55-vjeçar, punën si fermer e ka filluar para 20 vjetëve.

E këtë punë e bën në mbi 200 hektarët e tokës të mbjellë me grurë e misër.

Aq sa ka përfitime, ka edhe vështirësi.

Sejdiu numëron mundin që e bën për punimin e tokës e që, sipas tij, nuk po ia vlen.

Rendimentet janë të pakta, sipas fermerit, e edhe çmimi me të cilin shitet është i lirë.

Këto janë disa nga arsyet që po e vënë në dyshim vazhdimësinë e punës në toka.

Mungesa e rendimenteve është e theksuar edhe në vende të tjera ku punojnë fermerët.

E me këto kushte kërkesat ndaj institucioneve janë të pranishme.

Korrje-shirjet përfundojnë edhe tri javë e, sipas Fatmir Ahmetit, këto mund të jenë javët e fundit të punës për këtë vit.

Ahmeti, po ashtu fermer, është i zhgënjyer me rezultatet e këtij viti.

Sfidat janë të mëdha e përfitimet të pakta.

Subvencionet e vitit të kaluar kanë qenë lehtësim për fermerët e nga ky vit ata presin po ashtu të kenë ndihma.

Fermerët, përveç për nevoja vetjake, grurin e shet edhe në treg, sepse kërkesa për të është e lartë, meqenëse është nga drithërat esencialë.